(VIDEO) Shpëtoi Qeveria, forcat në Kuvend 60 me 60

by admin
Spread the love




Mocioni i djeshëm i votëbesimit ndaj Qeverisë Zaev ka dështuar për mungesë kuorumi. Edhe pse deri të mërkurën opozita kishte 61 vota për të rrëzuar Qeverinë, në seancën e djeshme nuk u paraqit deputeti i Lëvizjes Besa Kastriot Rexhepi. Rexhepi përmes rrjeteve sociale njoftoi se është shëndosh e mirë, por se ka vendosur të mos përkrahë rrëzimin e Qeverisë për shkak të eurointegrimeve.

Duke parë vështirësitë e opozitës për të siguruar kuorum, deputetët e pushtetit vendosën të mos marrin pjesë në seancë. Seancën parlamentare e udhëhiqte nënkryetari i Kuvendit nga Lëvizja Besa Fadil Zendeli. Pas disa pauzave të kërkuara, deputetët e opozitës u tërhoqën përfundimisht nga Kuvendi rreth orës 22.

Gjatë daljes nga Kuvendi, nënkryetari i VMRO DPMNE-së Aleksandar Nikollovski tha se Qeveria edhe një herë dëshmoi se me metoda kriminale po përmbahet në pushtet. Zgjidhje e vetme sipas janë zgjedhje të shpejta parlamentare.

Aleksandar Nikollovski, VMRO DPMNE
“Do të vijë shumë shpejtë dita kur ata do të përgjigjen për veprimet, dhe bën gjithçka që demokracia të shkelet. Është e dukshme se pushteti kriminal mundohet të bëj gjithçka që të mbetet në pushtet. Kam mesazh të qartë se dalja nga kriza janë zgjedhje të shpejta sa më shpejtë që është e mundur”.

Pas largimit të deputetëve të opozitës, në Kuvend erdhën kryeparlamentari Talat Xhaferi, kryeministri Zaev dhe ministrat e Qeverisë. Xhaferi vetëm konstatoi se mocioni i votëbesimit ndaj Qeverisë nuk kalon dhe qeveria aktuale vazhdon me punë.

Sipas Kushtetutës, opozita tashmë nuk ka të drejtë të kërkojë mocion votëbesimi ndaj qeverisë në 90 ditët e ardhshme. Megjithatë seanca e djeshme dëshmoi se në këtë përbërje, as pushteti e as opozita nuk i kanë 61 deputetë. Për këtë shkak pritet që javëve në vazhdim të fillojnë bisedimet për zgjerimin e koalicionit qeveritar. /SHENJA/

 


You may also like