(VIDEO) Shkupi i pari në botë për nga ndotja e ajrit

by admin
Spread the love

Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut sot zuri vendin e parë në botë për nga ndotja e ajrit. Në listën e air visual, pas Shkupit vijë Daka e Bangladeshit, Nju Dellhi dhe Kalkuta e Indisë, si dhe Lahore e Pakistanit.

Të dhënat nga stacionet matëse të cilësis së ajrit të Ministrisë së Mjedisit,tregojnë se Shkupi dhe Kavadari mëngjesin e sotëm janë qytetet më të ndotura në vendin tonë. Këto dy qytetet kanë ngjyrë vjollce, gjë që tregon ajër shumë të ndotur.

Ajri në Kumanovë, Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë po ashtu është shumë i ndotur. Qytetet e Strumicës, Gjevgjelisë, Koçanit dhe Velesit kanë ajër mesatarisht të ndotur. Ndërsa, Strumica dhe Tetova për dy ditë me radhë kanë ajër jashtëzakonisht të ndotur.

Në lidhje me ndotjen e ajrit, ka reaguar LSDM duke thënë se, kryetarja e VMRO-DPMNE-së, Danela Arsovska, nuk ka as masa dhe as projekte për ajër më të pastër në Shkup. Sipas tyre Arsovska ka reduktuar paratë për gjelbërim të ri, parqe dhe pemë, dhe parashikon 33 për qind më pak fidanë të gjelbër në buxhet për vitin 2022.

LSDM

“Në kushtet kur shkupjanët thithin ajër të pistë, është e papërgjegjshme të pakësohen paratë për mjedisin, të pakësohen paratë për gjelbërim, për parqe, për fidanë të rinj. Arsovska tregon paaftësi të madhe. Nuk është menaxhim por injorancë. Prandaj, duhet të vazhdojë të gjitha masat dhe projektet që kanë dhënë rezultate në 4 vitet e fundit”.

Ndërkaq, Ministri I Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini një ditë më parë tha se përderisa nuk ndryshohet mënyra e ngrohjes, nuk do të ketë zgjidhje afatgjate për ndotjen e ajrit.

Përndryshe, edhe në kohën kur Petre Shilegov nga LSDM udhëhiqte me qytetin e Shkupit, situata me ajrin e ndotur ishte e njëjtë.

Stacionet matëse në Shkup që e kontrollojnë cilësinë e ajrit në vitin 2021 tregonin të dhëna për praninë e grimcave të rrezikshme PM 2.5 në ajër gjithandej, gjë që rezultoi menjëherë me oscilime serioze në nivelin e ndotjes së ajrit në vende të ndryshme të kryeqytetit. Ekologët mbetën në konkluzionin se rrjeti ekzistues është tepër i vogël dhe se në çdo vendbanim duhet të ketë të paktën dy deri në tre stacione për matje të cilësisë së ajrit.

Ndërkaq, ajo që dështoi më së shumti në vitin 2021 ishte realizimi i projekteve, që do të ndikonin drejtpërdrejt në uljen e ndotjes së ajrit në komunat e Maqedonisë së Veriut. Komisioni Evropian në Raportin për progresin e reformave në vend, në kapitullin 27, theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të rrisë financat e saj të cilat ndahen në nivel kombëtar dhe lokal për të reduktuar ndotjen e ajrit.

Por, në vend që të respektohej ajo që BE-ja kishte kërkuar qartë nga autoritetet tona gjatë muajit tetor, shoqata civile “Iniciativa O2” në dhjetor 2021 doli me kritikë se Kuvendi i RMV-së kishte votuar rishpërndarjen e mjeteve ndërmjet përdoruesve buxhetorë për vitin 2021, duke i reduktuar 13.5 milionë euro mjetet buxhetore të dedikuara për ndotjen e ajrit, deponitë ilegale, mbrojtjen e ujërave dhe mjedisin jetësor, efikasitet energjetik dhe për pavarësi energjetike.  Kështu nga “Iniciativa O2” e theksuan se reduktimin e fondeve për ndotjen e ajrit deri në 71 për qind të 1.3 milionë eurove të parashikuara në buxhetin e shtetit.

Edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në janar të 2021 premtoi se brenda muajve në vijim do të ndalohet importi nga jasht i automjeteve të përdorura që janë me standarde nën EURO 5 të shkarkimeve të gazrave. Gjithashtu në fund të vitit, premtimi që mund të ndikojë drejtëpërdrejt në uljen e importit të automjeteve që e ndotin seriozisht ajrin, u shtye për në vitin 2022.

Pa epilog mbeti edhe njoftimi i qeverisë për vendosjen e taksës mjedisore për derivatet e naftës, e cila u paralajmërua se do të niste më 1 korrik 2021. Edhe pse qeveria njoftoi se derivatet e naftës mund të shtrenjtohen me ligjin e propozuar për mjedis jetësor, ai ngeci në Kuvendin e RMV-së  deri në fund të vitit për shkak të mospajtimit të opozitës me një masë të tillë.

Linda Ebibi /SHENJA/

You may also like