(VIDEO) Shekerinska paralajmëron rritje të shumicës, Ibrahimi ia mbyllë derën

by admin
Spread the love




Edhe pse mocioni i votëbesimit të Qeverisë i inicuar nga opozita nuk kaloi, ai zbuloi një të vërtetë tjetër që komplikon krizën politike. Aktualisht forcat në Kuvend mes pushtetit dhe opozitës janë 60-60. Opozitës nuk i mjaftojnë numrat për të rrëzuar Qeverinë, por as pushtetit nuk i mjaftojnë për të vazhduar funksionimin normal të qeverisjes. Megjithatë Qeveria është e bindur se do të arrijë ta rrisë shumicën në Parlament. Sipas ministres së mbrojtjes Radmilla Shekerinska, aktualisht po zhvillohen bisedime dhe pret që së shpejti të përfundojnë me sukses.

 RADMILLA SHEKERINSKA, MINISTRE E MBROJTJES
“Qytetarët nga ne presin të sigurojmë shumicë parlamentare e cila do të garantojë Parlament funksional dhe rrjedhë normale e proceseve reformuese. Ky është qëllimi jonë. Kuptohet që po zhvillohen bisedime. Pres që këto bisedime të përfundojnë shpejtë dhe me sukses, sepse na pret shumë më shumë punë. Mendoj se qytetarët janë lodhur duke numëruar deputetë. Ata duan të numërojnë ligje cilësore, reforma cilësore dhe rezultate, edhe atë me shumicë e cila na garanton mbështetje”

Edhe pse u përfol shumë për përfshirjen e mundshme të Alternativës në shumicën aktuale parlamentare, funksionarë të kësaj partie vazhdojnë të dërgojnë sinjale se nuk janë të interesuar për pushtet në rrethanat aktuale. Sekretari për Marrëdhënie me Opinionin i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, sot përmes rrjetit social Facebook përkujtoi sërish BDI-në se Qeveria i ka vetëm 60 deputetë pas vete.

ZEQIRIJA IBRAHIMI, ALTERNATIVA
“Këta që mendojnë se shumica bëhet “t’u pi duhon” a e dinë se Kuvendi me 60 deputetë nuk funksionon?
Apo, mos kanë ndonjë zgjidhje “€uroatlantike” të “vetëkidnapimit” të ndonjë deputeti për ta shpëtuar “vëndin” nga rreziqet ruso-kineze?”

Numrat e pushtetit në Kuvend pritet së shpejti t’i sfidojë propozim buxheti për vitin e ardhshëm. Buxheti hyri sot në procedurë parlamentare ndërsa duhet të votohet më së voni deri në fund të dhjetorit.  /SHENJA/

 


You may also like