(VIDEO) Revizorët: Masat antikovid dëmtuan buxhetin për 23 milionë euro

by admin
Spread the love

Buxheti i shtetit është dëmtuar për 23 milionë euro me masat e Qeverisë për ballafaqimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia Covid19. Kompanitë nuk kanë kthyer paratë që kanë marrë nga Qeveria për ndihmë gjatë punësimit dhe lehtësimet e tjera, ashtu siç parashikonin kushtet e Qeverisë. Kjo është gjetja e Entit Shtetëror për Revizion, të cilët kanë analizuar nëse masat e Qeverisë kanë qenë të krijuara, realizuara dhe kontrolluara në mënyrë efikase.

ENTI SHTETËROR PËR REVIZION
Sipas analizës së revizorëve, punëdhënësit dhe personat fizik, shfrytëzues të masave për subvencionimin e kontributeve dhe pagesën e pagave, kanë kthyer vetëm 29% të detyrimit të llogaritur për kthim, gjë që ka efekt më pak mjete të kthyera në Buxhetin e RMV-së. Gjithashtu, për faktin se nuk ka asnjë mënyrë për kontroll dhe kthim të mjeteve të ndara për mbështetje financiare të njëhershme për personat fizik dhe juridik nga aktivitetet e veçanta, ekziston rreziku që personat juridik që nuk i kanë plotësuar kushtet të mos i kthejnë mjetet në Buxhetin e RMV-së. Situatat e paraqitura kanë shkaktuar zvogëlimin e të hyrave buxhetore në vlerë të përgjithshme prej rreth 23 milionë euro”.

Revizorët konstatojnë se ky dështim vjen si rezultat i faktit se masat qeveritare për ndihmën e bizneseve në ballafaqimin me Covid19, janë krijuar pa bërë analizat e duhura, ndërsa edhe kushtet dhe mënyra e zbatimit të masave nuk ka qenë më e mira.

ENTI SHTETËROR PËR REVIZION
“Mungesa e analizave dhe vlerësimeve të shkruara gjatë krijimit të masave për mbështetjen e punësimit në procesin e vendimmarrjes, dobësitë dhe të pa thënat e konstatuara në dekretet me fuqi ligjore dhe ligjet e miratuara që rregullojnë kushtet, mënyrën dhe procedurën e dhënies, ndikojnë në efikasitetin e zbatimit, monitorimit të zbatimit të masave dhe ruajtjes së vendeve të punës”.

Një tjetër fakt që potencohet nga revizorët për mos efikasitetin e masave është se sipas Agjencisë për Punësim, vetëm në vitin e parë të pandemisë mbi 17 mijë persona kanë humbur vendin e punës.

Në këtë analizë të Entit Shtetëror për Revizion janë përfshirë 6 pako të ndihmave qeveritare gjatë viteve 2020 dhe 2021 në vlerë prej rreth 205 milionë euro. /SHENJA/

You may also like