(VIDEO) Presidentja e KE-së nesër në Shkup, temë diskutimi kontesti me Bullgarinë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Këtë javë vendi do të ketë dy vizita të rëndësishme të ndërkombëtarëve, të cilët kryetemë do të kenë bllokadën e Bullgarisë, në rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen nesër do të qëndroj në Shkup. Në kuadër të turit të saj ballkanik, ajo do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, ku sipas agjendës do të vizitojë Qendrën Rinore Kulturore, ndërsa në kinemanë  Frosina do të mbahet konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Zoran Zaev dhe presidentes së KE-së von der Layen. Zëdhënësi i Komisionit Evropian Eric Mammer paraprakisht njoftoi se Ursula von der Layen në Shkup do të flasë edhe për mosmarrëveshjen me Bullgarinë.

Von der Leyen nga 28 deri më 30 shtator, do të vizitojë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke filluar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  Ditën e mërkurë, më 29 shtator von der Leyen udhëton për në Prishtinë, dhe më pas në Podgoricë, nga ku pasdite viziton Beogradin. Presidentja e KE-së e përfundon vizitën e saj në rajon të enjten në Sarajevë. Kjo vizitë vjen në prag samitit të BE -së për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbahet në Slloveni më 6 tetor.

Një ditë pas saj, në Shkup arrin, eurokomesari për zgjerimin i BE -së Oliver Varhei. Programi i vizitës akoma nuk është finalizuar, por është njoftuar se do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev.

Varhei javën e kaluar ishte në Bullgari për të diskutuar kapërcimin e bllokadës bullgare për fillimin e negociatave të BE -së me Maqedoninë e Veriut.

Ky është udhëtimi i dytë i Varheit në Sofje këtë vit. Më 21 maj, ai vizitoi Bullgarinë së bashku me ministrin e Jashtëm portugez Augusto Santos Silva, ku  u takuan me politikanët bullgarë për të diskutuar propozimin portugez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Sofjes dhe Shkupit. Atëherë vizituan edhe vendin tonë. Kujtojmë se Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, gjatë Forumit strategjik në Bled më 1 shtator, për BNT-në tha se presioni ndaj Bullgarisë në muajt e ardhshëm mbi temën e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të rritet.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

You may also like