(VIDEO) Pendarovski: Zhbërja e marrëveshjes me Bullgarinë ndërpret integrimin europian

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kontestimi i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë nga ana e VMRO DPMNE-së në praktikë do të thotë ndërprerjen e procesit eurointegrues të vendit, sipas presidentit Stevo Pendarovski. Duke komentuar nismën për referendum për zhbërjen e Marrëveshjes me Bullgarinë, të cilën sot zyrtarisht e dorëzoi opozita, Pendarovski tha se është iluzion të mendohet se mund të ketë integrim pa respektuar marrëveshjet me fqinjët.

STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT
“Ta përsëris që të mos ketë ndonjë dilemë. Nëse e kontestoni ose përpiqeni ta kontestoni Marrëveshjen me Bullgarinë përmes referendumit, kjo është njëjtë sikur dikush të thotë që përmes referendumit mund të kontestoni ose zhbëni Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe të mbeteni anëtare e NATO-s. Nuk është e mundur. Do të thotë, të mos kemi iluzione, marrëveshjet bilaterale me fqinjët dhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë një ndër parakushtet kyçe, gjithmonë kanë qenë, për integrimin e cilitdo shtet jo vetëm nga ky rajon, por edhe gjithë botës postkomuniste pas vitit 1990” .

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Dejvid Gir, në një ngjarje tjetër gjatë promovimit të një donacioni evropian, u bëri thirrje të gjithë faktorëve politik dhe shoqëror në vend që të përqendrohen në integrimin sa më të shpejtë të vendit.

DEJVID GIR, AMBASADOR I BE-SË
“Ky momentum i transformimit po fillon. Kërkon përpjekjen e plotë të të gjithëve, Qeverisë, administratës, opozitës, të tejkalohen ndarjet politike. Kërkon që shoqëria civile, biznesi, të gjithë të përqëndrohen në këtë qëllim, sepse ky është qëllim i përbashkët, anëtarësimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian. Këtu duhet të përqendrohen përpjekjet, në interes të qytetarëve, sepse vërtetë bëhet fjalë për ardhmërinë e tyre dhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre”.

Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë është baza e zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë. Bashkë me Marrëveshjen e Prespës përmenden edhe në kornizën negociuese me BE-në dhe respektimi dhe implementimi i këtyre dy marrëveshjeve kanë qenë gjithmonë kushte për përparim në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

SHENJA/

 

You may also like