(VIDEO) Pacienti i parë me transplant të mëlçisë shkoi në shtëpi

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Pacienti 60 vjeçar të cilit iu realizua transplantimi i parë i mëlçisë nga një donator i vdekur sot  ka përfunduar trajtimin në spital dhe është dërguar në shtëpi. Ai kishte një sëmundje të avancuar të mëlçisë dhe, sipas mjekëve, praktikisht nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për t’i shpëtuar jetën. Transplanti u krye më 24 nëntor, donatorja ishte një grua që u konfirmua se i kishte vdekur truri, dhe familja e saj pranoi të dhuronte organet dhe të shpëtonte disa jetë. Përveç mëlçisë, janë transplantuar edhe dy veshka.

Zoran Karaxhov, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Digjestive dhe koordinator i transplanteve në këtë klinikë falendëroi ekipin e mjekëve dhe infermierëve, si dhe bashkëpunimin që patën me ekipet e tjera të përfshira në transplant, bashkëpunimin me Koordinatorin Kombëtar për Transplantimin dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

ZORAN KARAXHOV, DREJTOR I KLINIKËS SË KIRURGJISË DIGJESTIVE

“Më duhet të pranoj se kjo nuk ishte e lehtë për t’u arritur. Kemi punuar shumë, kemi investuar shumë dhe këtu kemi arritur të hapim një kapitull të ri jo vetëm në fushën e kirurgjisë digjestive por edhe në shëndetësinë e  Maqedonisë së veriut. Në fund dua të falënderoj publikisht familjen e donatorit. Pa humanizmin e tyre, ne nuk do të kishim një pacient të shëndetshëm që shkon në shtëpi sot dhe nuk do ta kishim arritur këtë sukses në kujdesin shëndetësor”

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, vlerësoi se ky është një hap historik përpara për shëndetësinë të Maqedonisë së Veriut, që na radhit në sistemet më të mira shëndetësore që kryejnë me sukses transplantin e mëlçisë.

BEKIM SALI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Ky është transplanti i gjashtë nga një donator i vdekur që nga fillimi i vitit dhe i pari transplant i mëlçisë në historinë e shëndetësisë së Maqedonisë. Puna e përbashkët dhe ekipore e mbi 100 mjekëve, infermierëve dhe personelit administrativ rezultoi që këtë vit, të bëhet transplantimi i 10 veshkave nga dhurues të vdekur, 2 të zemrave te pacientët dhe 10 transplantime të indit të eshtrave”.

Në dy vitet e fundit në Qendrën Klinike Universitare janë bërë 8 transplatime të zemrave, 30 veshka, 20 inde kockore dhe tani mëlçia e parë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

 

You may also like