(VIDEO) Osmani: Shqipëria ka të drejtë por nuk është mirë të shkëputet nga RMV për negociatat

by admin
Spread the love

Shqipëria ka të drejtë të kërkojë shkëputje nga Maqedonia e Veriut në rrugën integruese nëse vazhdon bllokimi bullgar. Kështu komenton ministri i Jashtëm Bujar Osmani pas deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama se Qeveria e Shqipërisë do të mendojë një gjë të tillë nëse Sofja nuk e heq veton ndaj Shkupit. Megjithatë, sipas Osmanit, për dinamikën rajonale është më mirë që të dyja vendet të vazhdojnë integrimin në pako.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM
“E kam dëgjuar fillimisht deklaratën dhe ai tha – do të pyesim qytetarët nëse mendojnë se nëse nuk tërhiqet vetoja bullgare për 6 muaj, nëse Shqipëria do të kërkojë shkëputje nga Maqedonia, do të thotë konsultim me qytetarët për atë çështje, jo vendim që Shqipëria do të kërkojë të vazhdojë më vete. Mendoj se me dinamikën rajonale do të fitojnë të dyja vendet, ndaj mendoj, nëse ky është një argument plus, të bindë qytetarët shqiptarë, qeverinë shqiptare, se qasja informale rajonale është në interes të të dy vendeve dhe rajonit, por Shqipëria ka të drejtë të kërkojë një gjë të tillë sepse procesi është i tillë, formalisht individual”.

Osmani foli edhe për nismën franceze për të ndihmuar dialogun mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sipas Osmanit, një nismë më konkrete nga Franca mund të pritet pas formimit të Qeverisë së re në Shkup.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I JASHTËM
“Lidhur me Francën, unë tashmë kam komunikim të vendosur dhe kërkesë për vizitë dhe takim me autoritetet më të larta franceze. Fillimisht u dakordua që ai takim të realizohet këtyre ditëve, megjithatë vendosëm se ai takim duhet të realizohet pas formimit të qeverisë së re këtu tek ne, përkatësisht në gjysmën e dytë të janarit, kur do të duhet zyrtarisht të vendoset ai komunikim, i cili ndërkohë ekziston edhe tani, megjithatë, që të konfirmohen planet dhe pozitat franceze lidhur me angazhimin e tyre në këtë proces”.

Duke shpalosur prioritetet e presidencës franceze me BE-në, presidenti i Francës Emanuel Makron këtyre ditëve deklaroi se nuk mund të ndërtohet paqja në Evropë nëse Ballkani Perëndimor lihet kështu siç është sot.  /SHENJA/

 

 

You may also like