(VIDEO) Opozita maqedonase i kërkon prokurorisë hetimin e kreut të Shkupit

by admin
Spread the love

VMRO DPMNE akuzon Prokurorinë Publike se nuk po vepron për dyshimet për korrupsion nga kreu i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov. Opozita ka dorëzuar dokumente në Prokurori, të cilat sipas tyre dëshmojnë se Shilegov dhe drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit kanë kurdisur një tender prej 300 mijë eurosh. Ata madje thonë se ky nuk është tenderi i vetëm i dyshimtë, por se nuk ka tender në dy vitet e fundit ku nuk janë bërë keqpërdorime.

VMRO DPMNE
“Prokuroria Publike hesht për Shilegovin i cili është kapur gjallë se si po kurdis tenderë prej 300 mijë eurove. I bëjmë thirrje Prokurorisë Themelore Publike dhe institucioneve të tjera të hapin hetim për Petre Shilegovin dhe Dushko Veskovskin. Krimet e Shilegovit nuk përfundojnë këtu. Nuk ka tender që në dy vitet e fundit është nënshkruar nga Shilegovi, e shuma nuk ka qenë si në procedurën e paraparë”.

Nga ana tjetër, LSDM i doli në mbrojtje Shilegovit. Partia në pushtet përmes një kumtese thotë se VMRO DPMNE po i bën presion gjyqësorit, ndërsa akuzat ndaj Shilegovit i quan shpifje.

LSDM
“Asnjë truk e të arratisurit Gruevski nuk do t’i shpëtojë nga humbja e thellë në këto zgjedhje si në Qytetin e Shkupit, ashtu edhe në pjesën më të madhe të komunave. Gënjeshtrat dhe dezinformatat e VMRO DPMNE-së ndaj Shilegovit nuk janë asgjë tjetër përveç se reagim ndaj panikut të tyre nga humbja e shtatë që do të ndodhë më 17 tetor”.

VMRO DPMNE para disa ditësh publikoi dokumente që sipas tyre dëshmojnë se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi” ka angazhuar kompani për kryerjen e punëve, pa hapur tender. Vetëm pas dy muajsh është shpallur tender dhe është firmosur kontratë me këtë kompani. /SHENJA/

 

You may also like