(VIDEO) Nesër vendoset, nga dhjetori në punë me vaksinë ose test

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg




Të hënën do të vendoset për propozim-masat e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, ku kërkohet që punonjësit e sektorit publik të dorëzojnë certifikatë për vaksinim, test negativ me harxhime të tyre ose certifikatë për infektim. Autoritetet shëndetësore theksojnë se këto masat duhet të zbatohen, ndërsa sindikatat thonë se testimi nuk duhet të jetë në xhep të punonjësve. Për këto propozim-masa të hënën do të bisedohet në mbledhjen e Shtabit të Krizës, ndërsa në mbledhjen e së martës qeveria duhet t’i miratojë ato.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçes, masat që i propozon Komisioni, në mënyrë të kombinuar aplikohen kudo nëpër Evropë. Disa vende sipas tij, kanë masa të ngjashme ose më rigoroze. Ato siç përmendi përdoren në Gjermani, Austri, Kroaci, kurse në Greqi tha se mendohet që të vendoset ndalesë e plotë për hyrje në ambiente të mbyllura.

Sindikatat reaguan duke thënë se vaksinimi duhet të jetë rezultat i zgjedhjes personale të punëtorëve dhe nuk duhet të bëhet me dhunë. Sipas sindikatës procesi i imunizimit nuk duhet të bëhet në dëm të të drejtave elementare të qytetarëve të garantuara me Kushtetutë, konventa dhe ligje ndërkombëtare dhe kundër vullnetit të individit.

Por nga Ministria e Shëndetësisë këmbëngulin se nuk bëhet fjalë për vaksinim të detyrueshëm, por qytetarëve u lihet opsion ose të tregojnë test negativ PCR, të cilin duhet ta paguajnë vetë, ose të vaksinohen pa pagesë.

Masat do të hyjnë në fuqi 10 ditë pas miratimit të qeverisë. /SHENJA/


You may also like