(VIDEO) Nesër publikohen rezultatet e regjistrimit

by admin
Spread the love

Nesër publikohen rezultatet e regjistrimit të popullsisë, pas gjashtë muajsh përpunim të të dhënave. Publikimi i të dhënave do të bëhet radhazi, sipas grupeve të të dhënave. Sipas drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski nesër publikohet grupi i parë i rezultateve. Ai u shpreh se është krenar për faktin se regjistrimi është efikas, profesional dhe i përfunduar me sukses.

Apostoll Simovski, drejtor i ESHS-së

“Grupi i parë i të dhënave që do të publikohet nesër përfshin të dhëna për popullsinë totale rezidente, totalin e popullsisë jorezidente, gjininë, moshën, përkatësinë etnike, fenë, gjuhën amtare dhe gjuhën e zakonshme të familjes, numrin e banesave dhe numrin e familjeve. Ndërsa, në muajt në vijim do të publikohen grupe të dhënash për karakteristikat arsimore dhe ekonomike të popullsisë, strehimin, familjet, aftësinë e kufizuar”.

Sipas Simovskit, analiza e kryqëzuar e të dhënave, nuk lë hapësirë për lëshime dhe gabime.

Apostoll Simovski, drejtor i ESHS-së

“Analiza e kryqëzuar e të gjitha të dhënave, nuk lë hapësirë ​​për manipulime dhe kur ke baza serioze të të dhënave përmes të cilave kontrollon disa herë të dhënat e mbledhura, mundësia e gabimit praktikisht nuk ekziston. Sipas tij, informacioni i saktë për gjendjen reale të popullsisë do t’i japë shtetit mundësinë për të krijuar politika që mund t’i përgjigjen më mirë nevojave të qytetarëve dhe biznesit”.

Më tej, ai shtoi se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave 2021, është regjistrimi i parë sipas shumë parametrave , i pari pas dy dekadave, i pari pas pandemisë, i parë me metodë të kombinuar, i pari që është regjistruar edhe diaspora dhe më e rëndësishmja është se siç thotë, ka përfunduar me sukses.

Regjistrimi u realizua nga 5 deri 30 shtator të vitit 2021.

Emine Ismaili /SHENJA/

Lexo lajme interesante

You may also like