(VIDEO) Ndryshimet kushtetuese, grupi i punës pa opozitën, publikohen emrat

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Grupet e punës për ndryshimet kushtetuese do të punojnë pa asnjë anëtarë të opozitës. Asnjë parti opozitare qoftë ajo maqedonase apo shqiptare nuk propozoi anëtarë për të punuar rreth kyçjes së bullgarëve në kushtetutë.  Ministria e Drejtësisë e publikoi listën zyrtare me emrat e anëtarëve të grupit të punës të përbërë nga përfaqësuesit partiak të pushtetit dhe të institucioneve. Ndërkaq, emrat e ekspertëve që pritet të përfshihen në grupet e punës për përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese, Ministria e drejtësisë do ti publikojë brenda javës.  Në ministrinë e drejtësisë zyrtarisht pjesë e grupit të punës janë 13 anëtarë, 10 prej të cilëve janë propozuar nga partitë, ndërsa 3 nga institucionet.  Nga partitë janë propozuar: Cvetanka Ivanova-LSDM , Arbër Ademi-BDI,  Remzi Mehmedi-Aleanca për Shqiptarët , Sonja Mirakovska-PRSD,  Nano Ruzhin-PLD, Hrista Najdanov-RDM,  Temellko Risteski-Partia e Pensionistëve,  Rametulla Kuqi-PDSH, Eran Kurtish-Partia për Lëvizjen e Turqve, Bejxhan Iljas-Partia Demokratike e Turqve.

Ndërkaq, nga institucionet janë propozuar:  Alleksandar Spasov-Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,  Dragan Tillev-Sekretariati për Çështje Evropiane, Shpend Sadiki-Ministria e Punëve të Jashtme.

Ministria e Drejtësisë informoi se ky trup punues është formuar nga ky institucion me urdhër të qeverisë që të përgatisë propozim-iniciativën për nevojën e ndryshimeve kushtetuese.

Partitë opozitare para pak ditësh informuan se nuk do të propozojnë anëtarë për grupet e punës, pasi nuk ka konsensus për ndryshimet kushtetuese. VMRO-DPMNE, Alternativa, “E majta”, partia Socialiste dhe Lidhja Demokratik në fundjavë njoftuan se nuk do të marrin pjesë në grupin punues. Edhe pse së pari u tha se Besa do të nominojë kandidat për grupet e punës për ndryshimet kushtetuese, as nga kjo parti nuk pati asnjë propozim.

Qeveria është propozuese e ndryshimeve kushtetuese. Pas përgatitjes së ndryshimeve, propozimi do të kalojë në të gjitha trupat punuese në korniza të Kuvendit. Paralelisht do të mbahen diskutime publike profesionale në të cilat ekspertë, parti, organizata të shoqërisë civile dhe institucione të tjera do të mund të shprehin qëndrimet e tyre. Ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin më së voni deri në nëntor. Pa ndodh ndryshimet kushtetuese nuk mund të  hapen kapitujt për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Për të ndodh ndryshimet kushtetuese duhen 80 vota deputetësh.

/SHENJA/

You may also like