(VIDEO) Mickoski propozon Gashin për kryeministër të Qeverisë

by admin
Spread the love




Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski propozon kreun e Alternativës Afrim Gashi për kryeministër në Qeverinë e re. Ai tha se VMRO DPMNE-ja do t’i japë nënshkrimet për emrin e Afrim Gashit për kryeministër në vend të Dimitar Kovaçevskit, ndërsa kërkon edhe nga partitë e tjera në Kuvend që të përkrahin propozimin e tyre.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Meqë Pendarovski kërkon 61 nënshkrime, le të qëndrojmë pas emrit të Afrim Gashit me 61 nënshkrime dhe ai në vend të Dimitar Kovaçevskit le të jetë mandatari i ardhshëm, sepse thoshte se arsyeja e vetme që përkrah këtë Qeveri është zhbllokimi i procesit eurointegrues i cili e shohim se është i bllokuar”.

Mickoski shtoi se presin edhe nga BDI që të përkrahë propozimin që Afrim Gashi të jetë kryeministër, pasi që vetë partia e Ahmetit kërkonte kryeministër shqiptar.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE-SË
“Ne thamë se kjo nuk duhet trajtuar si çështje etnike, por si çështje e kompetencave dhe aftësive, dhe ne nuk kemi asnjë problem të përkrahim një personalitet të caktuar i cili i posedon kompetencat dhe ka plan dhe vizion për punë për të mirën e të gjithë qytetarëve. Nëse ky personalitet propozohet nga partia më e madhe në Kuvend, e kjo është VMRO DPMNE, dhe nëse është shqiptar, presim që BDI ta përkrahë”

Mickoski kërkoi sot, që në shkurt ose mars të vitit të ardhshëm të formohet Qeveri teknike, ndërsa në maj ose qershor të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.  /SHENJA/

 


You may also like