(VIDEO) Lëkundjet e tokës shqetësuan qytetarët

by admin
Spread the love

Mbrëmë rreth orës 22:43 në Maqedoninë  e Veriut  ka pasur dridhje të tokës. Një tërmet me magnitudë 5.8 shkallë sipas Rihterit ka goditur në Greqi, ndërsa dridhjet e tokës janë ndjerë  jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë Ballkanin. Pas tërmetit me magnitude 5.8 janë regjistruar edhe dy dridhje të reja të njëpasnjëshme. Njëra ka qenë me fuqi prej 3.5 shkallë ndërsa, tjetra 4.8 shkallë sipas Rihterit.  Epiqendrat e tyre ishin në Florina të Greqisë, thellësia e të cilit ishte 10 kilometra.

Tërmeti i parë i cili ndodhi pas orës 22:00 më së shumti është ndjerë nga popullata në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut me intensitet V-VI gradë sipas shkallës makrosizmike evropiane. Në pjesën qendrore të vendit është ndjerë me intensitet IV gradë, kurse në Shkup dhe rrethinë me intesitet  III – IV gradë.

Tërmeti i dytë është ndjerë në orën 22:53 me magnitudë 4.2 ballë dhe është ndjerë nga popullata në pjesën jugperëndimore të vendit me intensitet IV gradë sipas shkallës makrosizmike evropiane.

Sipas të dhënave të deritanishme, tërmetet, përveç shqetësimit të popullatës, nuk kanë shkaktuar dëme materiale, thonë nga Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup.

Por, banorët e Manastirit prej mbrëmë, në rrjetet sociale shpërndajnë fotografi në të cilat shihen tavane dhe mure të çara. Shumica e banorëve të Manasitrit braktisën shtëpitë e tyre, nga frika e tërmetëve të reja . Edhe dy tërmete janë ndjerë këtë mëngjes në Manastir, pas serisë së termeteve me epiqendër në Lerin të Greqisë. I pari ishte rreth orës 02:32, dridhja e të cilit ishte me fuqi prej 3.2 shkallë, ndërsa I dyti është regjistruar në orën 07:28, nga e njëjta epiqendër tek rajoni i Lerin me fuqi prej 3.6 shkallë.

Komuna e Manastirit gjatë ditës së sotshme mbajti edhe seancën e Shtabit të Krizës, ku pas mbarimit të së njejtës, kryetari i komunës, Toni Konjanovski, bëri të ditur se nuk raportohet për të lënduar nga tërmeti i mbrëmshëm në Manastir, por se ka shumë panik te qytetarët.

TONI KONJANOVSKI, KRYETAR I KOMUNËS SË MANASIRIT

“Kemi konstatuar panik, gjë që është normale në situata të tilla, tek qytetarët që dalin nga pallatet e larta. Jemi njoftuar në autoambulancë dhe nuk ka pasur thirrje për të lënduar, por nuk ka dëme të mëdha materiale”

Gjatë ditës së sotme, në seancën e rregullt të Komunës do të formohet një komision ekspertësh për vlerësimin e dëmeve i përbërë nga inxhinierë të ndërtimit dhe arkitektë.

TONI KONJANOVSKI, KRYETAR I KOMUNËS SË MANASIRIT

“Menjëherë  do të formohet komisioni dhe qytetarët të paraqesim dëmet në Bashki. Komisioni do të përbëhet nga inxhinierë dhe arkitektë të cilët do të bëjnë analiza dhe vlerësime sa më shpejt të jetë e mundur”

Ai gjithashtu potencoi se nuk ka njoftime për dëme të mëdha në institucionet shtetërore dhe komunale.

Ndërkaq, autoritetet lokale në prefekturën e Follorinës vendosën të mbyllin shkollat dhe kopshtet për ditën e sotme  për shkak të tërmetit të fuqishëm që goditi rajonin mbrëmjen e së dielës.

Sipas kryetarit të komunës të Follorinës, deri në këto momente janë raportuar vetëm dëme të vogla materiale. Banorët e Follorinës raportohet ta kenë kaluar natën jashtë shtëpive të tyre dhe pjesa më e madhe në makina, larg zonave të banuara. Linda Ebibi /SHENJA/ 

You may also like