(VIDEO) Kyçyk: Historia është pjesë përbërëse e procesit të negociatave

by admin
Spread the love




Historia do të jetë pjesë e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, thotë eurodeputeti bullgar Ilhan Kyçyk, njëkohësisht raportues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian. Sipas tij, çështja e historisë është futur nën qilim edhe pse duhej lënë në dorën e historianëve. Kyçyk, gjatë një interviste për radion bullgare “Fokus” tha se kjo ka qenë arsyeja pse këtë vit nuk është kremtuar bashkërisht mes maqedonasve dhe bullgarëve festa e Ilindenit.
ILHAN KYÇYK, RAPORTUES PËR RMV NË PARLAMENTIN EVROPIAN
“Nuk e kemi festuar, sepse historia është pjesë integrale e procesit të negociatave dhe nuk jam dakord që është futur diku nën qilim. Përkundrazi, historia si shkencë, e cila është konservatore, duhet lënë në dorën e historianëve. Një mandat i tillë i jepet komisionit përkatës historik dhe ai mandat duhet të përmbushet me përmbajtje. Dhe vërtet duhet të punohet në frymën e shkencës, në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë, për të gjetur ato pika kontakti që kanë qenë në të kaluarën dhe për të kërkuar pika të reja kontakti që duhet të hyjnë në të ardhmen”.
Kyçyk tha se gjatë viteve të ardhshme duhet të bëhen përpjekje për shënimin e përbashkët të datave të rëndësishme ku bashkohen të dy popujt, pasi vetëm ashtu orientohemi drejt të ardhmes dhe jo drejt nacionalizmit.
ILHAN KYÇYK, RAPORTUES PËR RMV NË PARLAMENTIN EVROPIAN
“Do të shohim se si do të jetë vitin e ardhshëm. Por me siguri, çdo përpjekje e përbashkët për të shënuar data të tilla është e detyrueshme në marrëdhëniet tona, nëse ato kanë një mirëkuptim të natyrshëm për të shkuar drejt së ardhmes dhe jo nacionalizmit, jo drejt ndërtimit të mureve shtesë”.
Në Maqedoninë e Veriut kishte debat të madh nëse çështjet e historisë mes Shkupit dhe Sofjes do të jenë ose jo pjesë e kornizës negociuese me Bashkimin Evropian. Qeveria thotë se historia nuk është pjesë e kornizës negociuese, por Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë, e cila i përmban edhe çështjet historike, gjithmonë ka qenë kusht për Maqedoninë e Veriut. /SHENJA/


You may also like