(VIDEO) Kryeministri i ri bullgar paralajmëron se do ta zgjidhë për 6 muaj kontestin me Shkupin

by admin
Spread the love




“Financial Times” njofton se kryeministri i ri bullgar Kirill Petkov jep sinjale se Sofja do t’i japë fund obstruksioneve për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, pasi qeveria e tij të merr detyrën.

 KIRILL PETKOV, KRYEMINISTËR I BULLGARISË

“Ne jemi njëqind për qind për politikën e NATO-s dhe BE-së. Ne do të propozojmë një qasje të re për Maqedoninë e Veriut dhe ajo duhet të bëhet në një periudhë të shkurtër kohore, jo më shumë se gjashtë muaj”.

Financial Times komenton se kthesa vjen pasi Bullgaria vuri veton ndaj negociatave të pranimit të fqinjit të saj në BE, vitin e kaluar, për shkak të kontesteve mbi historinë dhe mosmarrëveshjet e identitetit. Kritikët më pas akuzuan Bojko Borisovin se iu drejtua nacionalizmit për të larguar vëmendjen nga protestat mujore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.

Petkov tha për Edicionin Ekonomik Amerikan se qeveria e re do të vendos një bazë të re për bisedimet me Maqedoninë e Veriut.  “Ne do të përdorim grupet punuese për të gjetur zgjidhje për çështjet si aktiviteti i përbashkët ekonomik, infrastruktura, kultura dhe historia”, tha Petkov.

Ndërkaq, në intervistën për Televizionin Kombëtar të Bullgarisë, Petkov paralajmëroi ruajtjen e pozitës aktuale bullgare, por edhe ngritjen e saj konstruktive. Ai, planifikon të krijojë grupe të përbashkëta pune të përfaqësuesve nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. /SHENJA/

 

 

 


You may also like