(VIDEO) Kriza energjetike, VMRO-DPMNE ia dorëzoi kontaktet ministrit Bekteshi

by admin
Spread the love




VMRO-DPMNE sot ka njoftuar se ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i janë dorëzuar kontaktet dhe janë rregulluar takimet ku Qeveria duhet të negociojë për sasi më të lira të gazit dhe të mazutit nga kompanitë perëndimore. Tani për tani dihet vetëm se gazi do të sigurohet përmes tregtarëve nga vendet perëndimore që kanë rënë dakord për sasitë me kompaninë “Gazprom”.

Pas takimit të mbrëmshëm të kryeministrit Dimitar Kovaçevski me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, person kontaktues është caktuar ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

HRISTIJAN MICKOVSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-SË

“Menjëherë pas këtij takimi do t’i kontaktojmë burimet tona, do t’ia kalojmë kontaktet ministrit Kreshnik Bekteshi dhe që nga ai moment presim të zbutet kjo pasiguri në të cilën aktualisht ndodhen Maqedonia, qytetarët dhe ekonomia. Kryesisht të sigurojmë një resurs të lirë me të cilin do të mund të sigurojmë energji elektrike më të lirë, d.m.th. më lirë se ajo që është në bursa dhe me këtë do të ndihmojmë qytetarët, ekonominë dhe shtetin”.

VMRO-DPMNE pohon se ka kontakte me kompani që do të siguronin energji në kushte më të favorshme për funksionimin e TC Negotinë dhe rryma që do të prodhohet duhet t’i jepet ekonomisë, për të kursyer vendet e punës. Nga atje propozojnë edhe kontakte për sigurimin e burimeve për prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes nga TE-TO Shkup

Qeveria gjatë ditës së djeshme pranoi të shqyrtojë propozimet e opozitës për tejkalimin e krizës energjetike. Në takimin e djeshëm, Kovaçevski dhe Mickoski kanë rënë dakord që VMRO-DPMNE-ja kontaktet e saj për blerjen e burimeve më të lira të energjisë t’ia dorëzojë ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili duhet të kontaktojë subjektet e përmendura për të përcaktuar nëse ofertat e tyre i plotësojnë kriteret e nevojshme.

Medina Ajeti /SHENJA/


You may also like