(VIDEO) Kovaçevski: Punojmë që të rinjtë të mos ikin jashtë vendit

by admin
Spread the love

Seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re ka nisur me fjalimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, Dimitar Kovaçevskit, i cili para deputetëve prezantoi programin qeveritar. Në mesin e premtimeve, Kovaçevski u zotua se do të punojnë që të rinjtë e vendit të mos porosisin më bileta avioni për të dalë jashtë vendit.

Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së

“Detyrë e jona është që të rinjtë të mos porosisin bileta të avionit që të dalin jashtë shtetit. Duhet ti mbajmë këtu. Për këtë jemi sot këtu që të ofrojmë plan dhe program për sfidat që i kemi pasur dhe do t’i kemi në të ardhmen. Projektet që janë paraparë në program disa janë vazhdimësi e qeverisë së kaluar, por duke pasur parasysh sfidat e reja, ka edhe politika të reja”.

Ndërkaq, opozita maqedonase ende mbetet në qëndrimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas nënkryetarit të VMRO-DPMNE-s Aleksandar Nikollovskit, zgjedhjet lokale sollën një disfatë thelbësore dhe të qartë për LSDM-në dhe për këtë, siç theksoi, Zoran Zaev dha dorëheqje.

Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO DPMNE

“Porosia e kësaj seance është se, është e nevojshme përballja me qytetarët përmes zgjedhjeve parlamentare. Pa zgjedhje nuk ka Qeveri me legjitimitet të plotë politik. Kjo Qeveri është me figura të vjetra që udhëheqin resoret e njejta, kjo Qeveri nuk mund të sjellë ndryshim dhe politikë të re. Jemi përballur me të njejtat qëndrime politike”.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët Halil Snopçe, i bëri apel Kovaçevskit që të ketë kujdes për premtimet që bënë, pasi historia do ta gjykoj nëse nuk i realizon.

Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët  

“Zotëri mandatar, të ju jap një mesazh, sepse në program, keni shumë premtime, edhe këtu në foltore dhatë disa premtime, por duhet të keni kujdes se historia mund të ju gjykoj në një të ardhme të afërt ose të largët nëse ato premtime nuk realizohen”.

Ndaj deputetit Halil Snopçe ka reaguar deputetja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli. Ajo tha se BDI bëri përzgjedhje të mirë me ministrat, prandaj janë propozuar sërish.

Arta Bilalli Zendeli, BDI

“Gjatë fjalimit tuaj (Halil Snopçe) ju dërguat kritika ndaj ministrave nga radhët e BDI-së dhe përmendët se ata nuk bartin përgjegjësi dhe se vazhdojnë me punë dhe bëjnë rotacion nga njëri sektor në tjetrin. Faktori se a punojnë mirë ministrat dhe kuadrot e përzgjedhura nga BDI, ishte mbështetja e popullit në zgjedhjet lokale. Ata paraqesin test për pushtetin ekzekutiv”.

Mandatari Dimitar Kovaçevski në ekipin e tij do të ketë 21 antarë. LSDM dhe koalicioni do të ketë 12 ministri, BDI 6, kurse Alternativa 3 ministri. Nga Qeveria largohen 8 anëtarë të deritanishëm, në mesin e tyre edhe kryeministri Zoran Zaev. Debati në Kuvend për votimin e Qeveris zgjat më së shumti dy ditë, ndërsa për votimin e përpbërjes qeveritare votohet më së voni pas përfundimit të debatit, gjegjësisht më së voni deri në orën 24:00 të ditës së dytë, në këtë rast deri të dielën në mesnatë. Qeveria zgjidhet nëse për të votojnë së  paku 61 nga numri i përgjithshëm i deputetëve në Kuvend. Emine Ismaili /SHENJA/

 

You may also like