(VIDEO) Kovaçevski në OKB: Kriza energjetike paraqet kërcënim edhe për arsimin

by admin
Spread the love

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbajti fjalim në Samitin për Transformimin e Arsimit në kuadër të Asamblesë së 77-të të Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.  Siç njoftojnë nga Qeveria, në debatin e Samitit, të cilin e hapi Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, ku morën pjesë mbi 90 krerë shtetesh dhe kryeministra, u debatua për qëllimet kombëtare të vendeve për promovimin e arsimit. Kovaçevski tha se kriza energjetike me të cilën përballet Maqedonia e Veriut, Evropa dhe bota paraqet kërcënim serioz për procesin arsimor.

DIMITAR KOVAÇEVSKI-KRYEMINSITRËR I MAQEDONISË SË VERIUT

“Për të arritur qëllimet afatgjata, së pari duhet të sigurohemi që të kemi burime të mjaftueshme për të siguruar kushte bazë të jetesës dhe punës, si klasa të ngrohta dhe të ndriçuara mirë dhe shtëpi të ngrohta dhe të ndriçuara mirë, për nxënësit tanë që të kenë arsim cilësor të pandërprerë këtë dimër. Ky është prioriteti numër një sot, nesër dhe në muajt e gjatë të dimrit që vijnë”.

Sipas të parit të Qeverisë, zgjidhja e problemeve në arsim, mund të gjendet vetëm në bashkëpunim të ndërsjellë ndërkombëtar dhe ndër-rajonal.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINSITRËR I MAQEDONISË SË VERIUT

“Por, mbi të gjitha, mund të gjendet në solidaritet. Nëse duam që nxënësit tanë të rriten me arsimim të mirë, fillimisht duhet t’u tregojmë se si ne të rriturit mund t’i zgjidhim problemet së bashku. Përndryshe, asnjë model arsimor apo strategji zhvillimore nuk do të bëjë ndonjë ndryshim dhe as nuk do të thotë asgjë për ta”.

Përndryshe, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, nisi të martën punimet teksa bota përballet me kriza të shumta, duke nisur nga lufta në Ukrainë.

Samir Mustafa /SHENJA/

You may also like