(VIDEO) Kovaçevski i përgjigjet Mickoskit: Na pret dimër i rëndë, s’kemi nevojë për zgjedhje

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg




Kryeministri Dimitar Kovaçevski edhe një herë ka bërë të qartë se pushteti nuk do të bisedojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht bllokimeve nga opozita. Kovaçevski thotë se na pret një dimër i rëndë në aspektin ekonomik dhe nuk është koha për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kuvendi është vendi për dialog politik sipas tij, por opozita po e pamundëson këtë dialog.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Tashmë kemi thënë se nuk duhet të mbahet takim për zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse kërkesa e tillë vjen në kushte të krizës më të madhe energjetike dhe ekonomike. Na pret një dimër i vështirë me të cilin duhet të ballafaqohemi, për çka bëjmë plane ditë e natë. Sa i përket dialogut, është normale që partitë të takohen, por ekzistojnë institucionet e shtetit. Institucioni që i bashkon partitë është Kuvendi, ndërsa e shohim se çfarë ndodh aty, ka bojkot klasik dhe bllokim që na pamundëson debatin parlamentar për përmirësimin e ligjeve”.

Ndërkohë kryeministri Kovaçevski komentoi edhe dialogun me Bullgarinë dhe mundësitë për gjetjen e zgjidhjes para Samitit të BE-së në qershor. Sipas kryeministrit, bisedimet nuk lidhen me data, as me mbajtjen e Samitit të BE-së, por varen vetëm nga arritja e kompromisit të pranueshëm për të dyja palët.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Sa i përket qershorit, është e saktë se do të ketë Samit të BE-së, por ne nuk lidhemi me data sepse na duhet zgjidhje që do të pranohet nga të dyja shtetet dhe për të cilën do të ketë konsensus, sepse kjo do të ishte baza për ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në të ardhmen”.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov deklaroi se gjatë vizitës së delegacionit bullgar në Maqedoninë e Veriut më 22 maj nuk do të nënshkruhet asnjë marrëveshje, por vetëm do të vazhdohet dialogu. Kështu bëhet gjithnjë e më e qartë se Maqedonia e Veriut nuk do të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave as në Samitin e BE-së në qershor.  /SHENJA/


You may also like