VIDEO/ Klop u rrëzua mbi lojtarin grek që u dëmtua rëndë, Liverpul mbetet për një kohë të gjatë pa një mbrojtës të majtë

by admin
Spread the love

Futbollisti i Liverpulit dhe kombëtarja greke, Kostas Tsimikas (27 vjeç) ka thyer kockën e klavikulës në ndeshjen e së shtunës me Arsenalin (1-1), gjë që do ta mbajë jashtë fushës për disa muaj, njoftuan sot mediat angleze. Për shkak të dëmtimit, mbrojtësi i majtë rrezikon të mos luajë për Greqinë në “play off”-et për Kampionatin Europian që do të mbahen në muajin mars.

Tsimikas u dëmtua në minutën e 35-të të ndeshjes pas një dueli me Bukaja Saka. Anglezi e shtyu atë përtej vijës anësore pranë pankinës së Liverpulit ku ndodhej trajneri Jurgen Klop,. Mbrojtësi grek pas rrëzimit në tokë bie te këmbët e trajnerit gjerman, i  cili nga ndërhyrja ra mbi lojtarin me gjithë peshën e tij. Momentin e dëmtimit të Tsimikas mund ta shikoni në këtë VIDEO.

“Është padyshim një klavikulë e thyer dhe ai do të jetë jashtë për një kohë të gjatë”, tha Klop për Sky Sports”.

Mungesa e mbrojtësit grek do të jetë një sfidë shtesë për gjermanin në pankinën e Liverpulit, i cili që nga tetori nuk e llogarit skocezin Andi Robertson , mbrojtësi i parë i majtë. Ai do të mungojë për të paktën disa javë të tjera për shkak të një dëmtimi në shpatull.

Për më tepër, lëndimi i Tsimikas mund të jetë një goditje për Greqinë nëse rikuperimi i tij zgjat më shumë se gjysma e dytë e marsit. Greqia do të tentojë të kualifikohet në Kampionatin Europian të Gjermanisë në “play-off” kundër Kazakistanit dhe më pas me fituesin e çiftit  Gjeorgji-Luksemburg.

PANORAMASPORT.AL

You may also like