(VIDEO) Hetuesit bullgarë kërkojnë ndihmë nga kolegët maqedonas për hetimet për autobusin e “Besa Transit”

by admin
Spread the love

Hetimet e deritanishme kanë vërtetuar fakte të reja lidhur me atë që ka ndodhur gjatë natës tragjike, gjatë aksidentit në Bullgari. Kështu deklaroi zëdhënësja e  kryeprokurores së Bullgarisë, Sijka Mileva, për BNT. Ajo njoftoi se është ndërprerë procedura parahetimore për aksidentin e autobusit të “Besa Trans”, në të cilin u dogjën 46 persona. Mileva  ka thënë se arsyeja për këtë është për shkak se prokurorët bullgarë kanë kërkuar nga kolegët e tyre në Maqedoninë e Veriut për më shumë hetime. Sipas saj, të mbijetuarit e aksidentit dhe të afërmit e të vdekurve duhet të thirren për t’u marrë në pyetje.

Sijka Mileva, zëdhënëse e Prokurorisë në Bullgari

“Të gjithë duhet të jenë të njohur me të drejtat dhe detyrimet e tyre sipas procesit penal bullgar dhe nëse duan t’u dorëzohen materialet nga hetimi, si dhe të informohen për rrjedhën e procedurës penale”.

Për përcaktimin e shkakut të vdekjes së pasagjerëve thotë ajo, është kryer ekspertizë komplekse zjarrfikëse-teknike, si dhe ekspertizë mjeko-ligjore. Tha se është konstatuar se shumica e pasagjerëve të vdekur kanë ndërruar jetë nga ngulfatja nga zjarri dhe goditja termike. Në atë rast, shtoi se ka pasur dy ngjarje – një aksident dhe një zjarr.

Sijka Mileva, zëdhënëse e Prokurorisë në Bullgari

“Si pasojë e aksidentit ka rënë zjarri. Nga konstatimi i ekspertizës për ngjarjen është konstatuar se shoferi e ka drejtuar automjetin me shpejtësi joproporcionale dhe të madhe, për çka ka humbur kontrollin e autobusit”.

Për këtë procedurë penale bëri me dije se në Bullgari janë marrë në pyetje rreth 30 dëshmitarë, pasagjerët e mbijetuar, si dhe dëshmitarë okularë. Tani, sipas Milevas, është radha e prokurorisë së Maqedonisë së Veriut.

Mileva komentoi se hetimi i vendit të aksidentit ka zgjatur më shumë se 24 orë, duke filluar në errësirën, herët në mëngjesin e ditës së ngjarjes dhe përfundoi natën. Në këtë rast tha se kanë punuar gjashtë hetues dhe tre prokurorë, ndërsa për 10 ditë ka përfunduar grumbullimi i provave.

Emine Ismaili /SHENJA/

You may also like