(VIDEO) Gjashtë vjet nga përmbytjet në Hasanbeg që morën 22 jetë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg




Në shikim të parë një shi i zakonshëm me bubullima u shndërrua në tmerrin më të rëndë natyror që ka parë Shkupi dekadave të fundit. Sot mbushen plot 6 vjet nga vërshimet në Hasanbeg, Stajkovcë, Smillkovë, Haraçinë e Straçincë, që morën jetën e 22 personave. Reshjet e fuqishme të shiut me rreth 93 litra në një metër katror, të shoqëruara me erë e bubullima, brenda pak minutave u shndërruan në përmbytje të shpejtë e të furishme. Uji shpërtheu edhe autostradën e qarkores së Shkupit, e cila deri në ato momente shërbente si digë e rastësishme. Për vetëm pak minuta pjesa më e madhe e Hasanbegut u gjet nën ujë, me njerëz në panik që shpejtonin të shpëtojnë veten e të afërmit.

 

Vullnetarë u organizonin për të shpëtuar banorët, aq sa kishin mundësi, duke marrë parasysh se uji bllokoi rrugët për pjesën më të madhe të mjeteve transportuese. Ekipet e shpëtimit dhe ushtria arritën me më shumë se 4 orë vonesë. Ata bashkë me banorët po çanin rrugën drejt shtëpive të përmbytura, për të shpëtuar ata që mund të kishin mbijetuar por që mbeten të bllokuar. Nata ishte e gjatë për atë pjesë të Shkupit, ndërsa mëngjesi edhe më i rëndë, pasi u numëruan plot 22 viktima. Përveç asaj u shkatërruan qindra shtëpi, prona e biznese.

 

Pronat u rindërtuan me ndihmën e Qeverisë dhe shoqatave të ndryshme humanitare nga vendi e nga Turqia, por dhimbja për viktimat mbetet gjithë jetën. Kryetari i Komunës së Gazi Babës Boban Stefkovski ka përkujtuar këtë ditë tragjike me një postim në Facebook. Ai porosit të mos harrohen viktimat, ndërsa falënderon të gjitha ata që në çfarëdo mënyre u angazhuan për zbutjen e pasojave të kësaj tragjedie. /SHENJA/


You may also like