(VIDEO) Escobar: Ballkani i hapur nuk mund të jetë efikas vetëm me tre shtete

by admin
Spread the love




SHBA e mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe shpreson që sa më shpejtë të ketë lëvizje pozitive. Kështu thotë zëvendës ndihmës sekretari i shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore Gabriel Escobar, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Gabriel Escobar, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore

“Mendoj se të dyja vendet kanë fituar të drejtën për të hapur konferencat ndërqeveritare. Ne e mbështesim një gjë të tillë. Ne e mbështesim anëtarësimin e të dyja vendeve, sa më shpejt të jetë e mundur. Po shohim sinjale pozitive si nga Sofia edhe Shkupi. Kështu që po, vazhdoj të shpresoj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të lëvizin me shpejtësi në atë drejtim”.

Duke folur për iniciativën “Ballkani i Hapur” Escobar sqaroi nëse është e efektshme kjo iniciativë pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të rajonit.

Gabriel Escobar, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore

“Nuk mundet. Dhe ky është kushti me të cilin ne e mbështesim: Së pari që të plotësojë standardet e Berlinit që ka vendosur Bashkimi Evropian. Dhe së dyti që të jetë i hapur për të gjitha vendet. Dhe praktikisht nuk funksionon pa të gjitha vendet. Nuk mund të ndërpriten tubacionet, nuk mund të ndërpriten autostradat. Nuk mund të kesh një zonë të tregtisë së lirë nëse të duhet të ndalosh diku në mes të rrugës dhe të kesh kamionë që presin në radhë për pesë orë, kështu që nisma duhet t’i përfshijë të gjitha vendet në mënyrë që standardet të jenë evropiane sepse në fund të fundit, për të pasur një zonë të tregtisë së lirë, duhet të kesh institucione që të mund t’i menaxhojnë mallrat dhe paratë në mënyrë efektive”.

Më tej, Escobar, ka theksuar se Bashkimi Evropian ka sinjalizuar disa herë se zgjerimi është qëllimi i tyre strategjik, ndërsa qëndrimi i SHBA-së është se duhet të jetë një proces shumë më i shpejtë.

Emine Ismaili /SHENJA/


You may also like