(VIDEO) Dy muaj nga tragjedia e autobusit në Bullgari

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg




Po bëhen gati dy muaj nga njëra prej tragjedive më të mëdha që mban mend vendi. Kujtimet e tmerrshme janë ende shumë të freskëta në mendjet e secilit, por shkaqet janë shumë larg gjetjeve. Hetimet për aksidentin e “Besa transit” në Bullgari po i zhvillon pala bullgare, por ato i kanë kaluar të gjitha paralajmërimet dhe ende nuk e kanë publikuar raportin e ekspertizës, edhe pse siguruan që i njejti do të jetë publik më së voni deri më 25 dhjetor.

Dyzet e pesë shtetas tanë tashmë po pushojnë në varret e tyre, ndërsa familjarët duke kujtuar momentet dhe bisedat e fundit që i kanë pasur me ta, me ankth po presin të dijnë se si është shkaktuar aksidenti dhe pastaj zjarri. Ata kërkojnë llogari dhe përgjegjësi se si u shkaktua aksidenti i tmerrshëm dhe si u mori jetën udhëtarëve brenda shumë pak minutash. Ndërkohë në vend nga zyrtarët shtetëror as që përmendet më kjo tragjedi dhe as nuk është marrë ndonjë veprim konkret, përveç marrjes së licencës për transport ndërkombëtarë “Besa Transit”. Vetëm po pritet që të përfundohet hetimi nga pala bullgare. Drejtoria e Doganave konfirmoi se autobusët e “Besa transit”, jashtë shtetit kishin kaluar qindra herë pa u evidentuar dhe pa përmbushur kriteret për transport ndërkombëtar. Pronari, mbetet i lire dhe deri tani nuk e ka parë ende të arsyeshme të prononcohet për mediat vendase.

Hetimet fillestare të ekipit të prokurorëve bullgarë treguan se udhëtarët kishin ndërruar jetë nga tymi dhe jo nga zjarri. Ndërsa shkaktar sipas tyre dyshohet të jetë faktori njeri.

23 nëntori është kujtimi më i hidhur që mban mend vendi. 52 udhëtarë kishin shkuar në Stamboll për ekskurzion, por nuk arritën që të ktheheshin në shtëpi, pasi autobusi tyre u aksidentua dhe mori flakë dhe që aty arriten të shpëtojnë vetëm 7 persona. Aksidenti tragjik ndodhi në autostradën “Struma” afër Sofjes. Dhjetë ditë pas tragjedisë, viktimat u identifikuan përmes analizave të ADN-së për t’iu dorëzuar familjarëve. Në aeroportin e Shkupit u pritën me nderime të larta shtetërore, kurse lamtumira e fundit iu dha nga familjarët.
Emine Ismaili /SHENJA/ 


You may also like