(VIDEO) Delegacioni i OJQ-ve nga RMV takime zyrtare në qytetin e Bursës- Nënkryetari i AK Partisë, Hajati Jazëzhë: Së bashku do të punojmë për Turqi dhe Ballkan të fortë

by admin
Spread the love

Delegacioni i OJQ-ve nga Maqedonia e Veriut, gjatë këtyre ditëve po qëndron në qytetin e Bursës së Turqisë, ku po zhvillohen takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) të Turqisë.

Ditë më parë përfaqësuesit e OJQ-ve nga vendi, u takuan me kryetarin e komunës së Osmangazit, z. Mustafa Dündar dhe  nënkryetarin e Bashkisë së Bursës nga AK Parti, z. Adnan Kurtulush, ndërsa dje ata kanë zhvilluar takim zyrtar edhe me krerët më të lartë të qytetit të Bursës.

Në vendin historik të Bursës “Koza Han”, shoqatat: OKH “Merhamet”, “Vizioni-M”, “Ensar” dhe “Köprü”, kanë realizuar takim me nënkryetarin e AK Partisë për Marrëdhëniet me Jashtë, njëherazi edhe bartës liste për qytetin e Bursës nga rradhët e AK Partisë z. Efkan Ala, nënkryetarin e AK Partisë Hayati Yazıcı, kryetarin e Bashkisë së Bursës, Alinur Aktash dhe kryetarin e komunës së Osmangazit, Mustafa Dündar.

Në lidhje me këtë takim, fjalë falënderuese për delegacionin e vendit kanë shprehur edhe krerët e lartë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), ku nëpërmjet rrjetit social “Twitter” ata u shprehën kështu:

 “Në vendin historik “Koza Han” të Bursës, u takuam me përfaqësuesit e OJQ-ve nga Maqedonia e Veriut”, ka shkruar në twitter, ish-ministri i Brendshëm i Turqisë, njëherit nënkryetari i AK Partisë, z. Efkan Ala.

Për takimet e rëndësishme që po zhvillojnë OJQ-të e vendit tonë, kanë shkruar edhe nënkryetari i AK Partisë, Hajati Jazëxhi dhe kryetari i Bashkisë së Bursës, Alinur Aktash.

 “U takuam me vëllezërit tanë nga Maqedonia e Veriut, të cilët erdhën për të na përkrahur për zgjedhjet e 14 majit. Së bashku do të punojmë për një Turqi të fortë dhe një Ballkan të fortë. Qoftë përgjithmonë vëllezëria dhe solidariteti jonë i përbashkët”, shkroi dje në twitter, nënkryetari i AK Partisë, Hajati Jazëxhi.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Bursës, Aktash lidhur me takimin e tij me përfaqësuesit e OJQ-ve shkroi:

”Së bashku me nënkryetarët tanë, z. Efkan Ala dhe z. Hayati Yazıcı, realizuam takim me përfaqësuesit e OJQ-ve nga Maqedonia e Veriut. Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë që t’i përforcojmë urat e zemrave tona me vëllezërit tanë”.

Pas takimit në vendin historik të “Koza Han-it, delegacioni i OJQ-ve nga vendi, vizituan edhe standin zgjedhor të Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), partner i koalicionit Aleanca Popullore.

Delegacioni i shoqatave “Merhamet”, “Vizioni -M”, “Köprü” dhe “Ensar”, mbrëmë gjithashtu kishin rastin që të jenë pjesëmarrës edhe në hapjen e zyrave zgjedhore të AK Partisë në lagjet Zafer dhe Vatan të Bursës, me ç’rast përfaqësuesi i OJQ-ve nga Maqedonia e Veriut, prof.dr. Sylejman Baki, kishte edhe fjalë rasti para banorëve të kësaj ane duke theksuar se “stabiliteti politik i Turqisë mbetet të jetë jetike në vazhdimin dhe avancimin e projekteve të reja mes Turqisë dhe Ballkanit.

Aktivitetet e ditës së djeshme, përfaqësuesit e OJQ-ve nga vendi i përmbyllën duke qenë pjesëmarrës edhe në tubimin e lagjes Demirtash të Bursës, ku u takuan edhe me ministrin e Industrisë dhe Teknologjisë, z. Mustafa Varank, ndërsa në tubim u ritheksua edhe njëherë rëndësia e fitores së presidentit Erdogan.

/SHENJA/

You may also like