(VIDEO) Dashtevski: Në ditën e zgjedhjeve do të ketë më shumë aparate sesa vendvotime

by admin
Spread the love

MARKETING I PAGUAR POLITIK

Numri total i aparateve për identifikim e gjurmëve të gishtërinjëve  që do të jenë në dispozicion për ditën e zgjedhjeve është 4 000. Ndërsa në vend janë 3 480 vendvotime, pra   520 aparate do të jenë tepër. Kështu njoftoi kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor Aleksandar Dashtevski, nga simulimi i ditës së zgjedhjeve, që u bë nga shkaku se vendi për të parën herë në ditën e zgjedhjeve do të përdor aparate biometrike për identifikimin e votuesëve.

Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së

“Aparati punon me rrymë, ndërsa brenda ka bateri me litium që zgjasin nga 12 orë. Megjithatë ata mund të mbushen. Pra, nëse ndërpritet rryma, votimi vazhdon me bateritë, kur vjen përsëri kyçet në rrymë. Nuk ka lidhje me internetin sepse aparati është offline, nuk janë të lidhur me internet. Votohet përmes tre mënyrave. Fillimisht votohet me gjurmen e gishtit, nëse ndodh që aparati të mos e njoh, atëherë letërnjoftimi  ose pasaporti vendoset në skaner që është nën aparatin dhe dalin të dhënat, fotografia, emri, mbiemri, adresa dhe numri amë dhe mënyra e fundit nëse nuk njihet votuesi edhe me letërnjoftim, është përmes numrit amë. E shkruan numrin amë dhe dalin të dhënat e votuesit”.

Më tej Dashtevski tha se qëllimi i këtyre aparateve është që të tejkalohet problemi me votuesit fantom dhe ato që nuk mund ta gjejnë veten e tyre në listën zgjedhore. Në pyetjet e gazetarëve ai shtoi se mundësia për tu prishur aparatet është 5% ndërsa janë 15% aparate rezervë. Në prezantimin e aparateve, zëdhënësi i KSHZ-së Admir Shabani, u shpreh se biometria është mënyra më e mirë për identifikimin dhe kontrollimin e votuesëve.

Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së

“Qëllimi është që të sigurohet barazimi i votuesëve në bazë të parimit, një votues, një votë. Zgjedhjet që mundësojnë përmirësimin e procesit zgjedhor, nënkuptojnë proces demokratik për vendin por edhe për vendet fqinje. Biometria është mënyra më e mirë për identifikim dhe kontroll të sigurtë dhe të shpejtë të votuesëve në bazë të karakteristikave të tyre unike, fizike siç janë gjurmët e gishtërinjëve”.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 17 tetor.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING I PAGUAR POLITIK

You may also like