(VIDEO) Bien temperaturat, asnjë zjarr aktiv

by admin
Spread the love




Reshjet e shiut dhe ulja e temperaturave kanë bërë që sot mos të ketë asnjë zjarr aktiv në vend. Qendra e Menaxhimit të Krizave infromon se vetëm gjatë ditës së djeshme janë lokalizuar e më pas janë shuar tërësisht 9 zjarre.

Dy zjarre kanë ndodhur gjatë 24 orëve të kaluara në rajonin e Kumanovës dhe Nagoriçanit të vjetër, njoftoi Qendra rajonale në Kumanovë. Rrufeja ka shkaktuar zjarrin në Nagoriçan  të vjetër, ku në fshatin Dobraçë, në një objekt ndihmës janë djegur 500 duaj kashtë.

 “Njësiti territorial i zjarrfikësve Nagoriçan i vjetër ka intervenuar nga ora 18:15 me një automjet dhe dy zjarrfikës në fshatin Dobraçë në një hambar të djegur. Nga rrufeja janë djegur 500 duaj kashtë, zjarri është vënë nën kontroll në ora 21:50”, njoftoi Qendra e Menaxhimit të Krizave  në Kumanovë.

Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Kumanovës ka intervenuar edhe në një zjarr në deponinë e “egër”, në rrugën “Gjorçe Petrov”, për shkak se po bëhej djegia e mbeturinave në periudhën nga ora 20:20 deri në ora 20:50, me një automjet  zjarrfikëse dhe tre zjarrfikës.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza më tej infromojnë se ka  pasur ndërhyrë për shuarjen e mbeturinave të djegura dhe gomave të vjetra të veturave në një lokacion afër ish-deponisë Vardarishte në Komunën Gazi Babë, ndërsa  ata theksojnë se në intervenimin e djeshëm nga ora 11.15 deri në orën 14.40 kanë marrë pjesë një automjet dhe tre zjarrfikës

Djegia e barit të thatë dhe kashtës përgjatë rrugës në fshatin Tearcë është shuar dje nga ora 13.00 deri në orën 16.00. Në intervenim kanë marrë pjesë një automjet dhe tre zjarrfikës.

Me një automjet dhe gjashtë zjarrfikës dje nga ora 13:54 deri në orën 15:40 kanë intervenuar në shuarjen e barit të thatë të djegur përgjatë magjistrales Tetovë – Shkup.

Samir Mustafa /SHENJA/


You may also like