(VIDEO) BE të tregojë në vepër vizionin e saj për të ardhmen e Evropës

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg




Bashkimi Evropian duhet të hapë sa më shpejtë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të dëshmojë në vepër vizionin e tyre për ardhmërinë e Evropës. Ky ishte mesazhi i kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi në konferencën e kryeparlamentarëve të BE-së në Slloveni. Xhaferi tha se Maqedonia e Veriut është dëshmuar si partner i denjë i perëndimit edhe me krizën e refugjatëve në vitin 2015, por sidomos duke u rreshtuar në anën e duhur pas agresionit rus në Ukrainë.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT
“Dëshmia parlamentare është Deklarata e miratuar më 3 mars, me të cilën i dënuam ashpër sulmet ushtarake të cilat cënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe u bëmë thirrje institucioneve të vendit që të ndihmojnë në sigurimin e ndihmës humanitare për refugjatët nga Ukraina”

Xhaferi u shpreh mirënjohës edhe për mbështetjen e vazhdueshme që ka marrë vendi nga Bashkimi Evropian. Ai tha se ndodhitë e fundit në arenën ndërkombëtare e theksojnë nevojën për bashkëpunim më të ngushtë mes Brukselit dhe vendeve kandidate për anëtarësim në BE.

TALAT XHAFERI, KRYETAR I KUVENDIT
 “Lëvizjet aktuale tektonike në fushën e sigurisë shkojnë në favor të avancimit të rezistencës së BE-së dhe nevojës për përforcimin e partneriteteve me vendet kandidate. Në këtë kontekst, e përshëndesim nismën për integrim të plotë të vendeve nga Ballkani Perëndimor në busullën strategjike dhe mundësinë për qasje në Fondin Evropian të Mbrojtjes, sepse jemi të bindur se kyçja jonë do të ketë reflektim të drejtpërdrejt në paqen dhe sigurinë e rajonit, ndërsa indirekt edhe në paqen dhe sigurinë e gjithë kontinentit”.

Xhaferi nënvizoi se Bashkimi Evropian ka luajtur rol të rëndësishëm në tejkalimin e çështjeve të rëndësishme për vendin tonë, si për Marrëveshjen e Ohrit, ndërmjetësimin për tejkalimin e krizës politike në vitin 2015 dhe Marrëveshjen e Prespës që i dha fund kontestit shumëvjeçar me Greqinë.

/SHENJA/


You may also like