(VIDEO) Ajri i ndotur në Shkup, qytetarët zgjedhin Vodnon për të mbushur mushkëritë

by admin
Spread the love

Ajër i ndotur dhe mjegull, është kombinimi më i keq i ditëve të fundit, që bën ta kesh të vështirë të kesh pamje qoftë edhe për disa metra largësi. Njerëz që mezi duken rrugëve, duke shpejtuar për të kryer obligimet ditore dhe të ikin në shtëpi nga kjo pamje trishtuese e qytetit dhe vetura që lëvizin me vështirësi, përshkak të pamjes së mjegullt. Kjo është fotografia e kryeqytetit në këtë fillim viti. Shkupi sot u gjend i 12-dhjeti në botë, për ajër më të ndotur. Sipas platformës „IQAir“, Shkupi është në të njejtin vend me Banglladeshin , Pakistanin dhe Delhi, për kualitet të keq të ajrit. Ndërsa sot e disa ditë, grimcat PM 10 janë mbi pragun e lejuar.

Por, një pjesë e qytetarëve, duket të kenë ikur nga realiteti i zymtë për disa orë, për të thithur ajër më të pastër. Pika rekreative në Malin e Vodnos, që është mbi 1000 metër lartësi, për ta ishte zgjidhja e vetme për të pastruar mushkritë, siç thonë ata dhe për t’iu shmangur daljeve me kualitet të ajrit tejet të keq, poshtë në qytet.

Qytetar:

“Sigurisht kjo është ndër pikat e rralla  të qytetit, ku në këtë periudhë të vitit, njeriu mund të thith ajër të pastër. Ka edhe vende të tjera, mirëpo, megjithatë Vodno është më e qasshme për fëmijët, ka vend për rekreacion dhe kjo është”.

Qytetar:

“Përse e zgjodha Vodnon, sepse atje poshtë nuk merret frymë, sepse ajri është shumë i ndotur, vijmë të paktën një orë, të marrim ajër të pastër sa të pastrojmë mushkritë. Çfarë duhet të ndërmerret më tej, këtë duhet ta dijnë ata që janë përgjegjës për këtë situatë”.

Qytetar:

“Me dy fëmijë të vegjël, të sëmurë në mënyrë konstante, njëherë njëra, pastaj tjetra, përsëri tjetra, definitivisht është përshkak të ajrit. Më afër Shkupit ose është Vodno, ose Mali i Zi i Shkupit, kështu që duhet të shfrytëzohet”.

E për këtë situatë të krijuar, partitë akuzojnë njëra tjetrën.

LSDM akuzon VMRO-në, gjegjësisht kryetarët e komunave nga radhët e tyre, se nuk po ndërmarrin asgjë në këtë drejtim.

LSDM

“Përveç shumicës në Qytetin e Shkupit, DPMNE ka mbi 500 anëtarë në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse në ndërmarrjet publike. DPMNE ka kryetar në Aerodrom, Kisella Vodë, Gazi Babë, Butel, Gjorçe Petrov, dhe asnjë nga ata nuk ka ndërmarrë asgjë edhe pse ka kaluat gjysma e mandatit të tyre”.

Kurse VMRO thotë se me akuzat e drejtuara ndaj tyre, LSDM ka goditur kryetarët e tyre të komunave dhe Qeverinë e tyre.

 

VMRO

“Në atë mënyrë me vetëdije ose jo, praktikisht i kanë sulmuar kryetarët e tyre të Qendrës, Sarajit, Çairit, Strumicës, Qytetit të Shkupit, ku buxheti është votuar nga LSD, E Majta dhe BDI, Inspektorati i Mjedisit Jetësorë, ministritë dhe Qeveria pë rshkak të joaktiviteteve në këtë temë”.

Një ditë më parë, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova,  tha  se 45 për qind e ndotjes së ajrit vjen nga amviseritë dhe institucionet publike që nuk përdorin sisteme ekologjike.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING



You may also like