(VIDEO) 59 vjet nga tërmeti i fuqishëm në Shkup

by admin
Spread the love

Shkupi sot përkujton 59 vjetorin e tërmetit të  fuqishëm  ku humbën jetën 1.070 persona, ndërsa u lënduan tre mijë të tjerë. Më 26 korrik 1963, në ora 05:17 të mëngjesit banorët e Shkupit  u zgjuan të tmerruar nga dridhjet e një tërmet i fuqishëm.

Krerët e shtetit dhe të partive politike kanë përkujtuar tërmetin  dhe kanë nderuar viktimat.

Presidenti Stevo Pendarovski, në profilin e tij Facebook, ka shkruar  se  solidarizohet dhe gjendet gjithmonë  me të gjithë ata që e përjetuan këtë tragjedi.

STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT

“Shkupi ende jeton me kujtimin e atyre që vuajtën në tërmetin katastrofik të vitit 1963.K jo tragjedi e paharrueshme është një kujtesë se gjëja më e rëndësishme është siguria jonë dhe se vetëm së bashku mund të kapërcejmë çdo fatkeqësi natyrore dhe njerëzore”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke përkujtuar 59 vjetorin e tërmetit në Shkup tha se kjo datë është regjistruar në memorien e qytetit të solidaritetit.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Tërmeti katastrofik mori shumë jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale. Por me punën dhe sakrificën e qytetarëve të Shkupit dhe miqve nga e gjithë bota që në mënyrë të pakursyer e shtrinë dorën, nga rrënojat lindi një Shkup i ri”.

Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, e përkujton këtë tragjedi, dhe rikujtoi se pas tërmetit, Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.

HRISTIAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-SË

“Pas tërmetit organizatat humanitare filluan të mbledhin ndihma për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar. Shkupjanët u treguan këmbëngulës, të fortë dhe me vision”.

Nga tërmeti i vitit 1963  u shkatërruan 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera. Mbi 200.000 persona mbetën pa kulm mbi kokë.

Nga tragjedia e Shkupit u trondit dhe u angazhua e gjithë bota. Pas tërmetit të atëhershëm, Organizatat humanitare në shumë vende u përfshinë në mbledhjen e ndihmave për Shkupin. Kështu, Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar. Menjëherë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara morën aktivitete që në mënyrë të planifikuar dhe afatgjatë ta ndihmojnë qytetin e shkatërruar.

Samir Mustafa /SHENJA/

You may also like