(VIDEO) 21 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Sot bëhen 21 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në vend.  Marrëveshja Kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua nga partitë më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit, u mbajtën nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të shtetit, Boris Trajkovski, ndërsa Marrëveshja u nënshkrua nga ana e liderëve të atëhershëm të partive politike, Branko Cërvenkovski, lider i Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë (LSDM), Arben Xhaferit, lider i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Lubço Georgievski i VMRO-DPMNE-së dhe Imer Imerit nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD).

Nënshkrues të Marrëveshjes, në cilësinë e garantuesve, ishin edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Francois Leotard dhe përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së, James Pardew, të cilët morën pjesë në negociata.

Marrëveshja i dha fund konfliktit ndërsa hodhi bazat për rritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend.

Në marrëveshje, përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe zhvillimi i pushtetit vendor, mos diskriminimi, përfaqësimi i drejtë, zbatimi i procedurave të veçanta të Kuvendit për çështje si gjuha, kultura, arsimi dhe simbolet. Gjithashtu u vendos që një gjuhë e cila flitet nga më shumë se 20 për qind e popullsisë në cilindo qytet të vendit, përveç maqedonishtes, të jetë gjuhë zyrtare.

Me “Ligjin për përdorimin e gjuhëve” të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 janar 2018, i cili parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, u bë gjuha e dytë zyrtare në vend më 15 janar 2019. /SHENJA/

 

You may also like