Vetëm një adresë për trajtim të kancerit në Kosovë

by admin
Spread the love

Lufta me kancerin nuk është e vetmja që bën Lumturie Krasniqi. Për marrjen e mjekimit, ajo duhet të udhëtojë mbi 80 kilometra, të presë me orë të tëra për radhën e saj, të trajtohet dhe të kthehet prapë në shtëpi. Këtë rrugë, kjo grua në të 50-at e saj e kalon së paku një herë në muaj.

Në qytetin e Prizrenit, ku ajo jeton, spitali nuk ofron shërbime të kimioterapisë dhe adresë bëhet Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

“Qe një orë jam këtu… Nuk e di kur më vjen radha… Ndodh që pres edhe dy-tri orë”, thotë ajo.

Teksa flet për Radion Evropa e Lirë nga një korridor i Onkologjisë, Lumturia mban në dorë një qese të mbushur me medikamente. Marrja e terapisë i zgjat tri orë.

“Kam stres se si do ta përballoj”, thotë dhe kthen shikimin kah bashkëshorti dhe djali i saj.

Të dy ata e shoqëronin në trajtim – tashmë për të disatën herë.

“Ata duhet të më presin… Duhet të më presin ndoshta gjashtë orë, apo edhe më shumë, pa e llogaritur rrugën”, thotë Lumturia.

Paraditen e 2 shkurtit, kur ekipi i REL-it vizitoi Klinikën e Onkologjisë, aty ndodheshin edhe dhjetëra burra dhe gra, që prisnin për trajtim. Shumica shoqëroheshin nga familjarë dhe të afërm.

Pritjet zgjasnin edhe dy apo tri orë, derisa nga dhomat e mbyllura infermierët thërrisnin emrin e pacientit të radhës.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, Ilir Kurtishi, tregon se, brenda 24 orësh, aty marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

“Pacientët marrin shërbime të onkologjisë mjekësore, do të thotë shërbime medikamentoze, shërbime të kimioterapisë, imunoterapisë… Kurse, në një repart tjetër [brenda Onkologjisë], pacientët mjekohen me rrezatim”, tregon Kurtishi.

Avdylaziz Beqiraj, një tjetër pacient i sëmurë me kancer, thotë se udhëton dy herë në muaj nga qyteti i Gjilanit – i cili ndodhet rreth 35 kilometra larg Prishtinës – për t’u trajtuar në Onkologji.

“Dal [nga shtëpia] para orës gjashtë në mëngjes dhe kthehem në gjashtë pasdite”.

“Duhet të udhëtoj shumë gjatë… Rruga tani në dimër është e rrëshqitshme dhe ka probleme. Por, duhet të jem këtu dhe plus të pres”, thotë ai.

Korridori ku presin pacientët për të marrë shërbimet onkologjike mjekësore, SHSKUK, 4 shkurt 2022.

Korridori ku presin pacientët për të marrë shërbimet onkologjike mjekësore, SHSKUK, 4 shkurt 2022.

Trajtimi i kancerit shpesh zgjat me muaj. Luftën, bashkë me pacientët e bëjnë edhe familjarët e tyre. Një prej tyre rrëfen për REL-in:

“Po flas për babanë tim… Është një rrugë e gjatë që bëjmë… Ai nuk mund të rrijë ulur, duhet të qëndrojë i shtrirë edhe në makinë”.

Vajza nuk dëshiron të identifikohet dhe as të tregojë qytetin nga vjen, pasi, siç thotë, babai i saj nuk e di se është i sëmurë nga kanceri.

Ajo thotë se vuajtjet e tij do të lehtësoheshin sadopak, sikur trajtimin ta merrte më afër – në komunën ku banon.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, pranon se duhet të zgjerohen shërbimet.

“Ka nevojë për një ose dy qendra [shtesë] në Kosovë, edhe pse, në bazë të rekomandimeve të shoqatave të onkologëve dhe vendeve të tjera të rajonit, në largësi prej 150 kilometrash duhet të jetë një qendër onkologjike”.

“Meqenëse largësia me makinë sot në Kosovë nuk është më shumë se dy orë e gjysmë, kjo qendër mund t’i përballojë [pacientët]… Por, nisur nga fakti se, nga viti në vit, kemi një numër shumë të lartë, atëherë edhe dy-tri qendra në Kosovë [do të duheshin]”, thotë Kurtishi.

Agreta Gecaj-Gashi, kryesuese e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, thotë se ky organ e ka shqyrtuar mundësinë e decentralizimit të disa shërbimeve shëndetësore që jepen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

“Në këtë decentralizim është diskutuar edhe Klinika e Onkologjisë. Është diskutuar edhe me ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, edhe me ministrin [aktual], Rifat Latifi. Nuk janë definuar ende detajet, por besoj se do të ketë përkrahje, edhe nga klinikat këtu [në QKUK], edhe nga spitalet rajonale”, thotë Gecaj-Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Salla ku pacientët me kancer marrin shërbime onkologjike, Klinika e Onkologjisë SHSKUK, 4 shkurt 2022.

Salla ku pacientët me kancer marrin shërbime onkologjike, Klinika e Onkologjisë SHSKUK, 4 shkurt 2022.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Prizren konfirmojnë se janë të gatshëm të ofrojnë shërbime për pacientët me kancer, nëse u kërkohet.

“Me stafin që kemi në dispozicion dhe kualifikimin e tyre, ne jemi të gatshëm ta zgjerojmë gamën e shërbimeve edhe përtej nivelit dytësor”, thotë drejtori i spitalit, Afrim Avdaj.

Për qytetarët serbë të Kosovës, që janë të prekur nga kanceri, trajtimi është ndryshe. Ata të gjithë drejtohen në spitalin e Mitrovicës së Veriut, i cili mbështetet nga Serbia. Nëse aty mungon një shërbim apo terapi e caktuar, ata drejtohen në spitale të qyteteve të Serbisë, përfshirë Beogradin apo Kragujevcin.

Në Serbi, kimioterapia dhe trajtimet e tjera për pacientët me kancer ofrohen në spitalet dhe klinikat e disa qyteteve të mëdha, ashtu si edhe në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë. Në Maqedoni të Veriut, ato jepen vetëm në Shkup.

Në Shqipëri, i vetmi institucion publik, i specializuar për diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, është Shërbimi Kombëtar i Onkologjisë – pjesë e Spitalit “Nënë Tereza”. Punktet onkologjike ekzistojnë edhe në disa qytete të këtij vendi: Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Lezhë, Elbasan, Krujë, Vlorë, Kavajë dhe Korçë.

Dita Botërore e Kancerit shënohet çdo 4 shkurt, me qëllim rritjen e vetëdijes për diagnostikim të hershëm dhe përmirësim të trajtimit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën. Në vitin 2020, afro 10 milionë njerëz në botë kanë vdekur nga kjo sëmundje, tregojnë të dhënat e OBSH-së, të publikuara më 3 shkurt.

Në Kosovë, çdo vit regjistrohen deri në 1,500 raste të reja me kancer. Sipas autoriteteve shëndetësore, te gratë dominon kanceri i gjirit, kurse te burrat kanceri i mushkërive dhe i zorrës së trashë.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë i ka rreth 60 shtretër, por barnat aty herë pas here mungojnë dhe pacientët detyrohen ose të shtyjnë trajtimin, ose t’i blejnë vetë ato.

You may also like