Vendosin Gakpo dhe Klaassen, Holanda bën detyrën ndaj Senegalit

by admin
Spread the love

Holanda e nis me fitore Botërorin pasi mposht me rezultatin 2-0 Senegalin në një sfidë që rezultoi më e vështirë nga sa ishte parashikuar në letër. Golat e Gakpo dhe Klaassen mjaftuan për të besuarit e Van Gaal që grumbullojnë kështu tre pikëshin e parë në Kupën e Botës.

Ndeshja nis e qetë me të dyja ekipet që kërkojnë të studiojnë fillimisht taktikën e kundërshtarit. Tentativat e para nuk krijojnë rrezik të madh për të dyja ekipet. Është Steven Berghuis që jep sinjalin e parë për Holandën me një goditje të bukur, por që shkon pak mbi traun e portës.

Provon të kundërpërgjigjet edhe Senegali, por nuk gjen shumë hapësira, ndërsa pjesa e parë mbyllet me vetëm një goditje në kuadrat nga ana e afrikanëve. Në pjesën e dytë, Holanda ka një tjetër shans me Van Dijk, por topi nuk gjen kuadratin.

Fillon të rrezikojë më tepër edhe Senegali që ka dy mundësi të mira shënimi, fillimisht me Dia e më pas me Gueye. Megjithatë, në të dyja rastet është portieri holandez Noppert që tregohet në lartësinë e duhur dhe nxjerr dy pritje mjaft të mira nga repertori.

Kur duket se ndeshja do të mbyllet drejt barazimit, de Jong harkon në zonë dhe Gakpo i vjedh kohën portierit kundërshtar duke çuar më pas topin në rrjetë. Holanda do të ndëshkojë sërish në frymën e fundit, këtë herë me anë të mesfushorit Klaassen. Ky i fundit çon në rrjetë një top që u devijua më parë nga Mendy pas goditjes së Memphis Depay.

Kështu, Holanda del me pikë të plota nga sfida e parë në Kupën e Botës dhe ngjitet në krye të grupit A me tre pikë, po aq sa Ekuadori që mposhti në sfidën hapëse të Botërorit vendasit e Katarit. /oversport.tv

Foto: OnsOranje, Twitter

You may also like