Vendimi mbetet në fuqi: Ndalohen udhëtimet e tifozëve mysafirë në palestra

by admin
Spread the love

Vendimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës për mos lejimin e tifozëve mysafirë në palestra në ndeshjet e basketbollit mbetet në fuqi edhe gjatë këtij edicioni.

Ky vendim erdhi për shkak të disa incidenteve gjatë vitit 2023 në palestra, ku nuk mungoi edhe dhuna fizike ndërmjet tifozëve.

Përfaqësuesit e klubeve të basketbollit shprehen të ndarë për mos lejimin e tifozëve mysafirë në palestra.

Arbnor Rifati nga klubi i basketbollit Prizreni, thotë se vendimi i FBK-së është njëri nga më të mirë që ka mund të merret karshi kësaj situate.

“Për mua ky definitivisht është vendimi më i mirë ndonjëherë që është marrë. Do të thotë unë mendoj që masivizimi dhe zhvillimi i basketbollit është që t’i shmangim fyerjet, huliganizmin dhe vandalizmin nëpër palestra, pasi që 200 apo 300 vetë mund të sjellin disa të ardhura, por në të njëjtën kohë do t’i largojnë nënat dhe fëmijët, pasi që sporti është definicion që bën thirrje për edukim dhe ofrim të njerëzve e jo për urrejtje. Mendoj që derisa ne do të vetëdijesohemi si popull, sportin ta kuptojmë si kulturë e jo si vend shënjestër për sharje e fyerje, e të tjera. Unë jam pro këtij vendimi”, bëri të ditur Rifati.

Ndryshe nga Rifati, zëdhënësi i klubit të basketbollit Peja, Ardit Lipa thotë se pavarësisht se respektojnë vendimin e federatës, ndalimi i tifozëve po u shkakton dëme financiare pasi mungesa e tifozëve mysafirë është e rëndësishme në aspektin e shitjes së biletave.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka shuar të gjitha shpresat që ky vendim mund të ndryshohet. Sipas tij, aktet e dhunës në palestrat sportive po dëmtojnë rëndë imazhin e basketbollit kosovar.

I pari i FBK-së ka kritikuar edhe organet e drejtësisë për mos efikasitet ndaj akteve të huliganizmit dhe kjo, sipas tij, po ndikon që ato vazhdimisht të përsëriten.

Sipas Fetahut, ky është vendimi më i vështirë nga ana e FBK-së, por që alternativa tjetër do të ishte vetëm ndalimi i garës dhe kjo do të ishte me pasoja shumë më të rënda.

You may also like