Veliaj përuron shkollën e re “Bashkim Fino”: Kemi nevojë për një pajtim kombëtar

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Shkolla “Bashkim Fino” u përurua këtë të martë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se me këtë shkollë, që i shtohet Njësisë 2, numri i shkollave të reja të ndërtuara në Tiranë shkon në 40 gjithsej.

“Vjet hapëm 14 shkolla, sivjet 12 shkolla të reja dhe 8 kopshte; do të vazhdojmë me paketën edhe vitin tjetër, por unë besoj se që nga koha e shpalljes së Pavarësisë, në Shqipëri nuk janë ndërtuar kurrë kaq shumë shkolla në një dorë. Shkolla “Kosova” është njëra prej tyre, liceu “Jordan Misja” po ashtu, edhe pse shkollë kombëtare ndodhet në Njësinë 2, shkolla e Baletit gjithashtu, bëmë edhe një rikonstruksion në shkollat “Osman Myderizi” dhe “Mihal Grameno”. Piramida do të jetë së shpejti një shkollë kombëtare, sërish e Njësisë 2. Por, besoj se një shkollë origjinale e lagjes, e mëhallës, e komunitetit tonë, është shkolla “Bashkim Fino” që hapim sot,” tha Veliaj.
Duke kujtuar ish-kryeministrin Bashkim Fino, i cili mori drejtimin e vendit me një mision të veçantë, si ai i pajtimit kombëtar në vitin e vështirë 1997, Veliaj tha se ende pas 24 vitesh Shqipëria ka nevojë për pajtim kombëtar.

“Kemi folur shpesh me Kryeministrin dhe një nga diskutimet që kemi pasur me Edi Ramën është: si mund të sjellim prapë pajtimin kombëtar, për të cilin Bashkimi luftoi aq shumë. Ma brengos zemrën kur shikoj çdo ditë këta që diskreditojnë njëri-tjetrin. Ishte një grup që dilte për “Samiun”, pastaj një grup për “Jeronim De Radën”, pastaj një grup që ka filluar të dalë për shkollat që po bëhen me ndihmën e OKB dhe BE, procedurat e të cilave sapo kanë filluar. Si mundet në vitin 2022 të flasim ende për pajtim kombëtar?! Si mundet në vitin 2022 të ketë njerëz që merren me politikë dhe varen te kangjellat e shkollave?! Si mund të ketë njerëz që vënë bast për dështimin e projektit tonë për shkollat?! Si mund të vësh bast kundër vendit tënd?! Duhet të jesh komplet pa nivel. Është viti 2022, por si mund të ngjallësh panik te prindërit? A nuk jemi ne kombi i Rilindasve, ku mësonjëtoret bëheshin nga njerëz privatë! Sot shkollat i bën ose shteti, ose donatorët dhe të varesh nëpër kangjella për të thënë se këtu do të bëhet një pallat, këtu do të bëhet kulla e një oligarku, kjo shkolla nuk do bëhet kurrë, këtu janë vjedhur paratë?! Dukej vit i largët kur citoja Bashkim Finon, që thoshte se ka nevojë për pajtim kombëtar dhe ka nevojë t’i rikthehemi shkollës, por me sa duket është ende e vërtetë sot. Sot kemi nevojë vërtet për një pajtim kombëtar!”, u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, kreu i bashkisë tha se ata që ankohen më shumë se në këtë vend nuk jetohet janë pikërisht ata që jetojnë në vilat e tyre pranë bregdetit në Lalëz.

“I dëgjoj këta që thonë në Shqipëri nuk jetohet. A ka vështirësi Shqipëria? Patjetër, por sot lagjja jonë, Shqipëria jonë, është bërë pak më e mirë, se ka një shkollë të re. Unë besoj se gjërat bëhen kur secili punon, kur secili bën të vetën. Shqipëria, lagjja jonë këtu, është më e mirë se ka një shkollë më të mirë, nxënësit do jenë më mirë se kanë marrë një mësim më shumë. Nëse arrijmë këtë lloj konsensusi kombëtar, për të cilin aq shumë punoi Bashkim Fino, besoj se do kemi formulën e suksesit për vendin tonë. Por, çuditërisht, ata që bërtasin më shumë dhe thonë se në Shqipëri nuk jetohet, janë të gjithë me shtëpi te Gjiri Lalëzit, nuk janë këtu në lagjen tonë. Nuk jetojnë as te “Mihal Grameno”, as te “Depoja Ujit”, as në Qytetin Studenti. Këta që thonë në Shqipëri nuk jetohet janë të gjithë te Gjiri i Lalzit. Kur të ikë i pari i tyre prej Shqipërisë, atëherë do të bindem se këtu nuk jetohet. Por për sa kohë që asnjë nuk ikën nga Gjiri i Lalzit e për sa kohë që Tiranën e shohin si mish për top, për të na vënë kundër njëri-tjetrit, për të na vënë të kacafytemi me njëri-tjetrin për 5 votat e tyre të qelbura, ne nuk do ta lemë këtë, sepse ne këtu në lagjen tonë të paktën, këtu ku jemi rritur do të themi shkolla është më e rëndësishme se partitë, familja është më re rëndësishme se partitë, komuniteti, lagjja jonë, hapësirat tona janë më të rëndësishme. Nëse e bëjmë këtë, ne do të kemi dhënë një mesazh shumë të fortë,” tha Veliaj.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe vajza e ish-kryeministrit Bashkim Fino, Megi Fino.

 

 

You may also like