Vdes Mbretëresha Elizabeth II – American Eye

by admin
Spread the love

Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare.

Mbretëresha ndërroi jetë në kështjellën Balmoral në Skoci.

Elizabeth II është monarkia më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, duke mbretëruar për 70 vite.

Të gjithë anëtarët e familjes mbretërore u mblodhën në kështjellën Balmoral me urgjencë gjatë pasdites së sotme, pasi Pallati Mbretëror njoftoi zyrtarisht për përkeqësimin e shëndetit të Elizabeth II.

Me vdekjen e saj, vendin në zi do ta udhëheqë djali i saj i madh, ish-Princi i Uellsit, Charles, i cili do të jetë Mbreti i ri dhe kreu i shtetit për 14 mbretëritë e Komunuelthit.

Kush ishte Elizabeth II

Në historinë e monarkisë angleze, ajo ka mbajtur fronin më gjatë se kushdo tjetër. Ajo lindi në një kohë ndryshimesh të mëdha dhe përjetoi një luftë shkatërrimtare botërore për vendin e saj, mësoi t’i përshtatej epokës së televizionit dhe arriti të ruajë monarkinë angleze në një kohë ndryshimesh dhe demokratizimesh të vrullshme.

Elizabeth Alexandra Mary e Jorkut lindi më 21 prill 1926 në Mejfeër të Londrës. Familja e thërriste në dashuri Lilibet, siç e thërriste ajo veten kur ishte e vogël, pasi nuk e shqiptonte dot emrin e vet.

Elizabeta ishte fëmija më i madh i Princit Albert dhe Dukeshës së Jorkut, dhe e fundit në vargun e fëmijëve të familjes mbretërore britanike që arsimohej në shtëpi.

Kur lindi, ajo ishte e treta në radhë për fronin, pas xhaxhait të saj Princit Eduard dhe babait të saj Dukës së Jorkut, Albert, prandaj nuk pritej që ajo të hipte një ditë në fron. Por historia kishte plane të tjera për Elizabetën.

Në dhjetor 1936, princi trashëgimtar i fronit, xhaxhai i saj Eduard, deklaroi se hiqte dorë nga froni për t’u martuar me gruan që dashuronte, një amerikane të divorcuar që në bazë të rregullave të trashëgimisë mbretërore ishte e papranueshme si bashkëshorte për një mbret të ardhshëm.

Babai i Elizabetës u bë Mbreti George VI, ndërsa Elizabeta automatikisht pretendentja e parë në radhën e trashëgimisë.

Lawrence Goldman, profesor historie në Londër thotë se ky ishte një moment historik në jetën e saj: “Që në moshë të vogël mendoj se ajo e kishte kuptuar që një ditë do të ishte një figurë e rëndësishme në familjen mbretërore, por nuk e mendonte dot veten mbretëreshë. Kur krejt papritur xhaxhai heq dorë nga froni, babai bëhet mbret dhe ajo është trashëgimtarja”.

Ajo ishte ende e re në moshë kur Londra u sulmua nga avionët gjermanë në Luftën II Botërore. Por megjithë rrezikun, familja mbretërore nuk u largua nga kryeqyteti. Elizabeta u angazhua në forma të ndryshme në ndihmë të vendit. Ajo ishte 14 vjeçe kur mbajti fjalimin e parë me fjalë ngushëlluese dhe inkurajimi drejtuar fëmijëve britanikë që ishin shkëputur nga prindërit gjatë bombardimeve.

Në fillim të 1942, ajo u emërua kolonele e Gardës së Granata-hedhësve. Në ditën që mbushi 16 vjeç ajo kreu detyrën e saj të parë mbretërore, duke inspektuar trupat.

“Shumë njerëz e vlerësonin për ndjenjën e detyrës, seriozitetin dhe respektin që tregonte për misionin që kishte,” thotë historiani Goldman.

Pas luftës ajo u martua me Togerin Philip Mountbatten, djali i Princit Andrew të Greqisë dhe stërnip i Mbretëreshës Viktoria.

Më 14 nëntor 1948 lindi djali i madh i mbretëreshës, Princi Charles, më pas lindi Princesha Anne.

Më 6 shkurt 1952, babai i Elizabetës vdiq papritur në moshën 56 vjeçare. Elizabeta ishte 25 vjeçe kur hipi në fron pas të atit. Ajo ishte në Kenia kur mori lajmin dhe u kthye menjëherë nga pushimet.

Elizabeta II u kurorëzua në kishën Westminster Abbey duke u bërë Mbretëresha e 40-të e Anglisë dhe e gjashta grua që sundonte vendin në 900 vjet. Për herë të parë një ceremoni kurorëzimi u regjistrua nga kamerat dhe e gjithë bota pati mundësi të shohë ardhjen në fron të monarkes së re angleze.

“Kjo ishte ngjarja e parë që të gjithë, ose thuajse të gjithë patën mundësi ta shohin në ekranet e vogla bardh e zi, të mbledhur së bashku për të ndjekur kurorëzimin,” shpjegon historian Goldman.

Ajo erdhi në fron ndërkohë që vendi ende nuk e kishte marrë veten nga lufta. Anglezët akoma e merrnin me racionin çajin, pijen tradicionale të vendit. Ishte një moment historik që sinjalizoi një epokë të re në jetën e monarkëve, kur çdo lëvizje e tyre në publik do të ndiqej nga kamerat, kur njerëz të afërm me jetën e tyre private do të nxirrnin hollësi të pakëndshme në shtyp, kur çdo devijim i vogël mund të shkaktonte skandal për monarkinë.

You may also like