Vdekja e PD-së dhe intelektualët që qajnë për të – Lajme

by admin
Spread the love

E shtuna e hunjve dhe gazit të Bashës dhe Berishës ishte jo vetëm inskenim i një beteje mesjetare, por edhe dita kur të gjithë e kuptuan se Partia Demokratike vdiq një herë e mirë. Kjo nuk do të thotë se nga krateri i hapur i rrënojave të saj nuk do të mbijnë forca të tjera politike, të udhëhequra nga Berisha, Basha a kushedi kush tjetër, por se partia që mblidhte rreth vetes qindra mijëra mbështetës nuk do të ekzistojë më, pavarësisht se ku shkon vula dhe selia e akronimit PD.

Të parët, më të rëndësishmit dhe më të ndershmit mes atyre që sot vajtojnë vdekjen e PD janë shumica dërrmuese e bashkëqytetarëve tanë që historikisht janë identifikuar dhe e kanë mbështetur PD. Partia Demokratike ishte produkt i një vale zemërate e shprese që përfshiu shumëkënd në kapërcyellin midis regjimit të vjetër dhe sistemit të ri. Në fillim ajo arriti të lidhte fijet e të gjithë atyre që ëndërronin një Shqipëri të re, pa dhunë shtetërore dhe atrofizim burokratik. Në dekadat pasuese, pavarësisht rrudhjes, PD ia doli të ishte përfaqësuesja e një blloku shoqëror të ngjizur nga urrejtja, pakënaqësia dhe refuzimi i pakompromis i të shkuarës diktatoriale. Në të bënte pjesë minoranca numerike, por gjithnjë e më hegjemone kulturalisht, e atyre të cilëve iu përmbys pozita shoqërore dhe/ose u persekutuan nga socializmi burokratik. Po, ç’është më e rëndësishmja, PD vijoi të mëtonte të ishte përfaqësuesja e asaj shtrese të gjerë shoqërore e cila u la pas, edhe qëllimisht, nga procesi i modernizimit të dhunshëm e të pjesshëm të Shqipërisë nga burokracia staliniste. Të gjendur kryesisht në kooperativat malore, por edhe si klasë punëtore e nëpërkëmbur e qyteteve të mëdha si Tirana, Durrësi e Shkodra, kjo shtresë e gjerë shoqërore ishte shtylla kurrizore tridhjetëvjeçare e PD. Me këtë parti ata nuk i lidhte vetëm mllefi ndaj të shkuarës, por edhe fakti se mobilitetin social të tridhjetë viteve të fundit – ardhjen në periferinë e qyteteve të mëdha, duke u shndërruar në klasë punëtore urbane (rasti i ish-fshatarësisë sidomos të zonave të veriut) dhe të vetëpunësuar në punishte apo dyqane (ish-punëtorët e qyteteve të mëdha) – ata ia atribuonin jo vetëm krahëve të tyre, por edhe shanseve që u krijuan nga përmbysja e sistemit të vjetër dhe liria sociale e epokës sonë. Ky bllok heterogjen – ku futet edhe pinjolli i ish-bejlerëve, edhe fshatarësia e klasa punëtore e socializmit – nuk mund të kishte unitet nëse nuk identifikohej me një figurë karizmatike, jeta e të cilit ishte mishërimi i kontradiktave të brendshme të tyre: Sali Berisha si ish-komunist dhe antikomunist, bir i një familjeje modeste dhe intelektual i afërt me pushtetin e shkuar, pajtues historik (“bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”) dhe revanshist (“bijtë e etërve”), oportunist dhe fanatik në të njëjtën kohë.

Ky bllok shoqëror ishte produkt i historisë dhe nuk mund të mbijetonte përtej kushteve që e prodhuan. Fakti që po perëndon së bashku me Sali Berishën është nga ato aksidente historike që fshehin një logjikë domosdoshmërie. Mirëpo këta qindra mijëra bashkëqytetarë – vuajtjet dhe arritjet e të cilëve meritojnë respektin maksimal – janë të vetmit vajtimi i të cilëve duhet pritur me mirëkuptim; ndonëse nuk duhet të mënojmë t’ua themi të vërtetën në sy: Është koha që të ndaheni dhe të formoni të tjera forca politike, legjitimiteti i të cilave nuk do të bazohet më tek e shkuara, por në interesat shoqërorë të së tashmes dhe aspiratat e të ardhmes. Politika e bazuar në nostalgji e melankoli, në rastin më të mirë, është shterpe.

Vijmë në rrathët e të pandershmëve. Në fillim qëndrojnë klikat rreth Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Bëhet fjalë për dhjetëra vetë – në rastin më të mirë pak qindra – nga ata që i shoqërojnë të dy nëpër mbledhje, konferenca shtypi dhe nxjerrin fytyrën në televizione. Janë hipotekuesit (tashmë imagjinarë) të privilegjeve që do të gëzonin nëse PD e kontrolluar nga i pari ose i dyti do të vinte në pushtet. Ata që pikasin nga larg postet ministrore, pozicionet fituese në listat e deputetëve, vendet drejtuese në agjencitë e mëdha publike, si dhe çdo post të mundshëm ku mund të bëhet para e madhe përmes allishverisheve me ndërmjetësinë e shtetit dhe në kurriz të popullit. Sot ndihen jo vetëm se vallja e çmendur ku hynë u doli për duarsh, por edhe sepse në këto kushte, pa perspektivë ardhjeje në pushtet, do të humbin edhe mbështetjen financiare të oligarkëve dhe ustallarëve të nëntokës kriminale. Kujtojmë se financuesit e mëdhenj të partive janë subjekte racionale, të cilët e shohin darovitjen si investim që do të prodhojë fitime të mëdha në të ardhmen e parashikueshme. Në këto kushte, kush vë më bast për një kalë të ngordhur?!

Si në çdo organizëm burokratik të gangrenizuar, poshtë klikës shtrihet një grup më i gjerë burokratësh të nivelit të mesëm e të ulët, pak a shumë delegatët e Kuvendit Kombëtar, ëndrrat e të cilëve nuk e kapërcejnë pragun e “një copë magazine” – kupto: drejtor, shef, doganier, nëpunës etj. Deri më sot këta kanë qenë skeleti i partisë. Njerëz që dikur kanë pasur një post, ku mund ta milnin ndopak shtetin ose të paktën të vinin festen mbi sy e të shkonin në bankomat një herë në muaj. Nëse u ka kaluar mosha apo janë rehatuar gjëkundi, ata aspirojnë të përdorin instrumentet klientelisto-patrimonialiste për t’u siguruar fëmijëve një vend pune në shtet apo në ndonjë biznes/ojf të afërt me partinë. Ata janë me të dyja dhe me asnjë palë njëkohësisht. Oportunizmi i tyre i vogël u tregua edhe gjatë dy kuvendeve paralele, ku shumë syresh hodhën firmat dhe ngritën dorën edhe pro Berishës, edhe pro Bashës me idenë “të jemi brenda, kushdo që të fitojë”.

Vajtuesit më të zëshëm, ndonëse më pak të sinqertët në këtë mes, janë copëza të shtresës së mesme urbane – diku intelektualë, analistë, gazetarë, ojëfëistë, një turli primouomosh e primadonash që i janë bashkëngjitur PD, duke mëtuar një distancë hipokrite paanësie. Zëri i tyre ushton shumë më fort se përmasat shoqërore dhe fuqia politike për shkak se janë në qendër të kuzhinës ku gatuhen lajmet, opinioni dhe idetë që më pas i shërbehen shoqërisë. Në rastin më të mirë kemi të bëjmë me njerëz të ndershëm që duan t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri (kupto: duan ndryshimin) duke përdorur duart e të tjerëve (kupto: militantët e PD). Shumë syresh janë në pozita aq të rehatshme ekonomike e gëzojnë status të lakmueshëm social, saqë të mos e shohin angazhimin politik përtej vigjilencës reaktive në rrjetet sociale apo ndonjë poze në mitingjet e PD. Ata nuk kanë as kohë, as durim dhe aq më pak guxim për t’u marrë me organizim të mirëfilltë politik. Ky i fundit kërkon vetëmohim, që është i kundërti i vetëkënaqësisë. Në lartësitë imagjinare ku e projektojnë veten, populli, në rastin më të mirë, iu duket një fëmijë arrakat që duhet edukuar dhe jo shumësia e bashkëqytetarëve të barabartë e barazvlefshëm. Nëse më të famshmit prej tyre do t’i përkufizonim si intelektualë tradicionalë (në kuptimin që u jep Antonio Gramsci), iluzioni se në kohët e sotme mund të jenë ndërgjegjja e kombit (si qëmoti) i bën të duken jo vetëm anakronikë, por edhe moskuptues të realitetit si fushë forcash e mbarsur me potenciale ndryshimi. Ndonjë syresh e imagjinon veten Monsieur de Voltaire të ditëve tona, që me fuqinë e mendimit do ta përdorte Berishën apo Bashën si dash për të shembur muret e kështjellës së Ramës.

Meqë jemi te Rama, mund të thuhet se urrejtja e tyre për të është e sinqertë, paçka se dobësia e mendimit politik ua pamundëson ta kuptojnë strukturalisht funksionin e tij: jo si tiran i gjithëpushtetshëm, por si nyje lidhëse e interesave të oligarkëve ekonomikë dhe burokracisë politike. Thellë-thellë ata duan të njëjtin sistem, me ndonjë rregullim estetik, por pa Ramën. Është e njëjta logjikë – e nganjëherë edhe të njëjtët njerëz – që përpara tetë e kusur viteve thoshin se Berisha duhej rrëzuar me çdo kusht e çdo mjet si e keqja absolute. Pa qenë të vetëdijshëm se e keqja mirëfilli absolute është kapitullimi ndaj të keqes, duke mbështetur ata që sot duken e keqja më e vogël dhe nesër e përdorin këtë kapital politik për t’u shndërruar në një të keqe më të madhe. Rama, për t’i rënë shkurt, nuk mund të rrëzohet pa rrëzuar strukturën ekonomiko-partiako-mediatike që e mban në këmbë.

Sot vajtojnë edhe oligarkët. Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se tanimë ata nuk do të kenë me çfarë ta drejtpeshojnë oreksin e Ramës për një përqindje më të lartë fitimi në allishverishet e përbashkëta. Sa kohë PD mbahej në këmbë, oligarkët mund t’ia ulnin pazarin Ramës për koncesione, PPP, tendera e leje ndërtimi, duke i dhënë të kuptonte se fare mirë mund ta zhvendosnin peshën e mbështetjes financiare te PD. Siç tregon historia bashkëkohore e vendeve të ngjashme, sistemi i preferuar i oligarkëve nuk është autoritarizmi njëpartiak, por dypartitizmi pro-oligarkik. Jo se një Ramë i ngjashëm me Putinin apo Erdoganin do t’u rrezikonte pasurinë, por thjesht do të rriste përqindjen e plaçkës. Të darovitësh nga 20% në 40% në xhepat e kryepushtetarit politik nuk është pak për grykësit për të cilët 1+1=2000 Euro.

Arsyen e dytë të vajtimit oligarkët e ndajnë me Edi Ramën. Rama është i sinqertë kur shprehet i shqetësuar nga fundi i PD, ndonëse orvatet ta kamuflojë me ironi. Zhbërja e PD do ta hapë fushën politike në mënyrë të paparashikueshme pasi asnjë shoqëri nuk ia lejon vetes mungesën e opozitës. Në këto kushte do të dalin subjekte të reja, me të cilat nuk hyjnë në punë mjetet dhe taktikat e vjetruara të luftës politike. Rama nuk do të ketë përballë matufllëkun proverbial të Bashës, as gogolin Berisha me të cilin PS ia ka dalë të shtrëngojë radhët e mbështetësve të saj historikë, por përftesa të reja politike të shoqërisë, të cilën as e njeh, as mund t’ia parashikojë strategjitë e lëvizjet, as mund ta tallë e denigrojë. Imazhi embrional i këtyre forcave mund të shihet në protestën studentore të dhjetorit 2018, e vetmja deri më tash që arriti përkohësisht t’ia vërë këmbët në një këpucë.

Ky proces mund të përshpejtohet nga dalja mbi ujë e fraksioneve të interesave në PS. Duke mos pasur më frikë se çarja e brendshme do të sillte rënien e pushtetit në duart e PD dhe hamendësuar se prokuroria mund t’i thellojë hetimet për të kapur peshq më të rëndësishëm se Lefter Koka (qoftë edhe si larje hesapesh brenda PS), fraksionet mund të ngrenë krye duke i rrezikuar Ramës të paktën shumicën parlamentare, në mos shkërmoqjen e partisë. Fundja, me një PD të vdekur dhe me një Berishë jashtë loje, çfarë do t’i motivonte qindra-mijëra votuesit tradicionalë të PS të vazhdonin të mbështesnin një parti, për të cilën janë të vetëdijshëm se qelbet era hajdutëri e maskarallëk?! Ky proces dobësimi/shkërmoqjeje e PS – si poli i kundërt i domosdoshëm i ekuilibrit politik tridhjetëvjeçar – do ta hapte edhe më shumë fushën politike. Ajo do të jetë dita kur shoqëria do të lërë përfundimisht mënjanë ndasitë e vjetra nostalgjiko-klienteliste për t’u riorientuar politikisht sipas kritereve racionale të shtresëzimit të saj klasor.

Këta muaj historia do të shpaloset shpejt. Mirëpo s’bën të harrojmë mësimin kryesor të saj: çdo krizë hap një derëz nga ku mund të kalojë edhe Mesia, edhe Antikrishti. Është në dorën tonë që nesër të mos qahemi se ramë nga shiu në breshër.

Arlind Qorri/ Teza11.org

You may also like