Van Schaack: Përgjegjës për krimet e luftës në Ukrainë, zinxhiri komandues rus

by admin
Spread the love

Ambasadorja e posaçme amerikane që merret me dokumentimin e krimeve të luftës thotë se kudo që janë vendosur forcat ruse në Ukrainë janë kryer krime të ndryshme lufte.

Beth Van Schaack i tha shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës se mënyra sistematike e krimeve në Ukrainë tregon për përfshirjen e personave të rëndësishëm në zinxhirin komandues rus.

Van Schaack gjithashtu tërhoqi paralale mes punës së saj me Gjykatën për Krime Lufte në ish-Jugosllavi dhe asaj që po ndodh në Ukrainë.
Ambasadorja e Posaçme amerikane për Drejtësinë Penale Globale tha se forcat ruse po bëjnë krime të ngjajshme me ato që janë kryer gjatë luftrave në ish Jugosllavi.

“Shohim shumë paralele me luftën në ish-Jugosllavi, përfshirë sulme kundër popullatës civile, rrethime të qyteteve historike ku njerëzit kanë mbetur të uritur dhe ku i ftohti ndihet edhe më shumë pasi banorët janë pa energjinë që iu jep ushqimi”, tha zonja Van Schaack.

Van Schaack tha kur shohim krime të tilla të kryer në mënyrë sistematike është shumë e vështirë të imagjinohet se si mund të kryhen ato pa përfshirjen e zinxhirit komandues rus. Por nëse vërtetohet përgjegjësia e udhëheqësit rus, Vadimir Putin për krimet në Ukrainë, sipas zonjës Van Schaack, Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk mund ta kryejë gjykimin pa kapjen e udhëheqësit rus.

“Shumë udhëheqës të lartë si ai i Kilit për shembull, Augusto Pinochet apo udhëheqësi i ish-Jugosllavisë, Slobodan Millosheviç nuk e kishin menduar kurrë se do të shihnin brendësinë e një sallë gjyqi dhe në fund u vërtetua se kishin gabuar. + Teorikisht Gjykata Ndërkombëtare Penale ka ligjshmërinë mbi presidentin rus, Putin nëse ata janë ndonjëherë në gjendje ta arrestojnë. Gjykata ndërkombëtare Penale ndryshe nga gjykatat ukrainase nuk mund të vazhdojë pa paraburgimin e të akuzuarit. Ata mund të hapin një hetim dhe të konfirmojnë një aktakuzë, por nuk mund të ecin përtej kësaj pike”, tha ambasadorja e posaçme amerikane, Van Schaack.

Ajo tha se po ndjekin nga afër edhe videot në internet që Moska thotë se tregon për krimet e luftës që dyshohet se janë kryer nga Ukraina. Por, shkalla e kriminalitetit e shfaqur nga ana e forcave ruse ishte “e jashtëzakonshme”.

“Kemi raportime për qytetarë të ekzekutuar, me duar të lidhura. Kemi trupa që tregojnë shenja torture. Kemi raportime të besueshme që gratë, vajzat, por edhe burra dhe djem i janë nënshtruar dhunës seksuale derisa janë mbajtur në paraburgim nga forcat ruse”, tha zonja van Schaack.

Kievi së fundi ka raportuar se vetëm në zonën e Khersonit, qytetit ukrainas që u lirua së fundi, janë regjistruar 460 raste të krimeve të luftës të kryera javëve të fundit. Numri i përgjithshëm i krimeve të luftës shkon në dhjetëra mijëra.

Ambasadorja e Posaçme amerikane thotë se janë tre rrugë përmes së cilës mund të hetohen krimet në Ukrainë. Përveç Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, Kievi është pajtuar që përgjegjësia e personave të rëndësisë së lartë në pozita udhëheqëse të bëhet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e cila tani po punon në mbledhjen e dëshmive. Van Schaack gjithashtu njoftoi se janë gjykatat e të paktën 14 shteteve nëpër botë që kanë nisur hetimin e krimeve të luftës në Ukrainë.


Top Channel

You may also like