UT organizoi manifestim kushtuar 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas – Shqip

by admin
Spread the love

Me një manifestim solemn, Universiteti i Tetovës e shënoi 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas. 8 Marsi festohet sot në të gjithë botën, për të nderuar dhe respektuar figurën e gruas. Kjo ditë është simbolike për rrugëtimin historik që gratë kanë bërë në të gjithë botën për ta përmirësuar jetën e tyre. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe dhe drejtësi.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti tha se kontributi i tyre është shumë i çmueshëm dhe këtë kontribut ne nuk e kujtojmë vetëm sot me 8 mars, pasi në vazhdimësi, me punën dhe angazhimin e tyre profesional na bëjnë që të vetëdijesohemi se zëri i gruas në këtë institucion është shumë i rëndësishëm.

“Ajo që e bën të rëndësishëm rolin tuaj është fakti se jeni edhe nëna, motra, jeni pjesë e familjes suaj, prandaj të merreni edhe me punën kërkimore shkencore dhe punën akademike është një sfidë, është një moment shumë i rëndësishëm që ndoshta e bënë edhe më të vështirë punën tuaj, për atë arsye ne përulemi para veprave tuaja dhe ju premtojmë se universiteti do të vazhdoj ta motivojë këtë formë të miratimit, këtë formë
të avancimit të gruas edhe në organet të cilat përfaqësoheni dhe na përfaqësoni”, u shpreh Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Referatin për këtë ditë të shënuar e paraqiti Prof. Dr. Fatmire Lumani. Ajo tha se, 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Femrave është një ditë e lavdishme, që na përkujton luftën e femrave për liritë dhe të
drejtat e tyre: civile, politike, ekonomike dhe sociale. “Është ditë që na përkujton një nga luftërat më të gjata në historinë e njerëzimit në mbarë botën që kanë bërë femrat, luftë kjo që ende nuk ka mbaruar. 8 Marsi është dita kur rikujtojmë betejat e përgjakura dhe plot sakrifica në nivel global, për të mos harruar kauzën e tyre që vazhdon të përcillet brez pas brezi edhe sot, deri sa të realizohen në tërësi liritë dhe të drejtat e femrave. Njëkohësisht i falënderojmë këto femra heroina dhe guximtare, që janë shembull dhe motiv për të vazhduar luftën për të arritur drejtësi dhe barazi ndërmjet femrave dhe meshkujve”, theksoi profesoresha Fatmire Lumani.

Ditën Ndërkombëtare të Grave sot e festojnë shumë organizata në mbarë botën. Disa organizata kërkojnë që kjo ditë të jetë festë shtetërore në vendet e tyre.

You may also like