UT organizoi akademi solemne kushtuar 114-vjetorit të Kongresit të Manastirit

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Me një ceremoni solemne të organizuar në Fakultetin Pedagogjik, Universiteti i Tetovës e shënoi 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit. Këtë akademi me pjesëmarrjen e tyre e nderuan Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zv-kryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, senatorë, prorektorë, dekanë, profesorë dhe studentë.

Referatin qendror kushtuar Ditës së Alfabetit e lexoi profesori universitar, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, i cili tha se udha e alfabetit të shqipes ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Ajo është shtruar me gjakun dhe eshtrat e drobitur të martirëve të dritës së diturisë, të flijuar vetëdijshëm në dhëmbëzoret e pushteteve satrapë, që e kishin zët shqiptarin zot të vetvetes, shqiptarin e qytetëruar në auditorët shkollorë, shqiptarin e ndërgjegjësuar që të punojë më shumë për vetveten se sa për tjetrin. “Zgjedhja e një ABC-je të vetme për shkrimin e Shqipes sfidoi anarkinë e alfabeteve që përdoreshin në vigjilje të Kongresit të Manastirit, të cilët e bënë gjuhën, jo vetëm mjet shpëtimi të kombit, por dhe element që nisi të rrezikojë seriozisht ekzistencën e tij. Qe ky momenti i fundit për ta kuptuar se dezintegrimi i gjuhës nënkuptonte dhe dezintegrimin e etnisë. Parë nga distanca e sotme kohore, duhet thënë se Kongresi i alfabetit të Gjuhës shqipe përfaqëson njërën prej fitoreve të mëdha historike e kulturore që ka korrur kombi ynë. Pa të nuk do ta kishim as standardin e sotëm të gjuhës, që edhe përkundër vërejtjeve të cilat mund t’i bëhen, na përcolli gjer këtu ku jemi si një komb i vetëm, duke sfiduar fuqishëm, pikërisht përmes SHQIPES, ndarjet tragjike që na i bënë të tjerët. Prandaj, dita e ABC-së duhet festuar gjithandej ku jetojnë shqiptaret, pa asnjë POR…, sepse janë shkronja të gjuhës sonë – sinonimit të Atdheut”, theksoi Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Ndërsa, Prof. Dr. Izmit Durmishi, gjatë fjalimit të tij tha se, të kujtosh përvjetorin e Kongresit të Manastirit nuk është thjesht një nderim, por detyrë e obligim i brezit tonë për t’i kujtuar ata njerëz që nuk kursyen asgjë nga vetja, duke përballur ndjekjet, persekutimet, reprezaljet e ndryshme për të zgjidhur një nga çështjet më madhore të kulturës sonë, alfabetin e përbashkët të shqipes. “Njësimi i alfabetit të shqipes ka qenë ndër problemet e dorës së parë dhe në programin e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ndonëse në krye të programit të saj natyrisht që qëndronte lufta politike e ideologjike për bashkimin e popullit shqiptar dhe për ngritjen e vetëdijes së tij kombëtare, për t’u çliruar nga pushtimet e huaja shekullore. Dhe, sikundër që dihet, përpjekjet për çlirimin e trojeve tona etnike, sipas programit të Lidhjes së Prizrenit (1878), dështuan. Në rrethana të tilla, Perandoria Osmane, duke e shpartalluar me dhunë Lidhjen e Prizrenit dhe duke i internuar jashtë trojeve shqiptare veprimtarët dhe ideologët më të shquar të saj, pamundësoi realizimin e programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Si rrjedhojë e të gjitha këtyre masave të egra ndaj Lëvizjes sonë Kombëtare, ngeli i pazgjidhur problemi më madhor kombëtar, çlirimi i tokave shqiptare, i cili e vështirësoi edhe zgjidhjen e njësimit të alfabetit dhe njësimin e gjuhës shqipe” – deklaroi mes tjerash Prof. Dr. Izmit Durmishi.

Akademia kushtuar ditës së ABC-së, Kongresit të Alfabetit, u përmbyll me një program artistik të përgatitur nga studentët e Fakultetit Pedagogjik, Fakultetit Filologjik dhe Fakultetit të Arteve.

You may also like