Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga PDK-ja Uran Ismaili vazhduar me nënshkrimet e zotimeve nëpër lagje të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ai ka nënshkruar zotimet në lagjen e tij, aty ku është rritur, në Bregun e Diellit.
“Sot jam shumë i lumtur që jam në lagjen më domethënëse për mua. Lagjen ku unë jam rritë e jam formësuar si njeri, prind e qytetar aktiv”.
Ai ka thënë se edhe pak ditë i ndajnë tash për me e jetësuar planin e përkushtimin për me ndreqë Bregun e Diellit, e bashkë me të edhe çdo lagje tjetër të Prishtinës.
“Prandaj, unë them ‘ma gjallë, ma gjallë. Duhet të jemi shumë më të gjallë për me e bë ndryshimin e nevojshëm, prej 17 tetorit e tutje”, ka shtuar ai.
Për këtë lagje, Ismaili është zotuar se deri në dhjetor të vitit 2024 do të ndreqen shumë punë, konkretisht parking për çdo familje, ndërtim i shtigjeve për biçikleta, shtim të hapësirave gjelbëruese, largim të problemit me qentë endacak etj.
“Këto zotime do të qëndrojnë mbi nënshkrimin tim, si dëshmi e fjalës sime, për të cilën mund të më mbani përgjegjës”.
Zotimet e Ismailit:
- Pastërti e ndriçim efiçient në çdo pjesë të lagjes;
- Parking për çdo familje;
- Largim i problemit të qenve endacakë;
- Shtim i brezave gjelbërues dhe hapësirave sportive;
- Ndërtim i shtigjeve për biçikleta dhe ndërlidhje e tyre me lagjet e tjera;
- Ulje e shpejtësisë së vozitjes brenda lagjes në 30 kmph;
- Rigjenerim i platove dhe hapësirave garazhuese;
- Investim në ndërtesa;
- Shtim i pikave grumbulluese të mbeturinave dhe shportave të rrugës;
- Lidhje me lagjen Mati me ura apo nënkalime për këmbësorë e çiklistë në disa pika;
- Investim në hyrje të ndërtesave përmes Ndërrmarrjes Publike Banesore;
- Rregullim i platosë te banesat e bardha;
- Shtrim i rrjetit të Termokoss te banesat e bardha;
- Gjelbërim dhe mirëmbajtja e të gjitha hapësirave semi-publike;
- Emërim i kopshtarit të lagjes;
- Realizim i parkut për qentë;
- Trajtim i strehimores te banesat e Ontex-it;
- Rregullim i stadionit të vjetër të lojërave te blloku i parë.