“Unique 71”, superjahti 90 milionë dollarësh, me formën e një thike gjigante

by admin
Spread the love

Superjahtet nuk mund të ishin më “të mprehtë” se ky rast. Superjahti “Unique 71”, i cili ka kushtuar 90 milionë dollarë, ka një hark të mprehtë në formën e një thike gjigante.

Projektuesit e këtij superjahti, SkyStyle, kanë zbuluar se në fakt, një nga emrat e mundshëm që po konsideroheshin për këtë superjaht ishte Blade (Thika, Tehu).

Bashkëthemeluesi i SkyStyle, Lucas Colombo, tha për MailOnline Travel se anija prej 71 metrash është projektuar për “të qenë e rehatshme gjatë një lundrimi me shpejtësi të lartë, duke depërtuar në ajër dhe nëpër masat e ujit si një teh i mprehtë’.

Në bord, jahti me katër kuverta përmban një lounge të hapur me një çati prej 85 metrash katrorë. Një tjetër pikë kryesore është zona e madhe e ngrënies në pjesën fundore të anijes, e cila ndodhet në nivelin e ujit.

Lucas zbuloi se këto hapësira janë të përshtatshme për të organizuar ato që ai i quan “evente me shumë njerëz”. Jahti përmban gjithashtu një platformë për helikopterë, si dhe një pishinë të hapur.

Për sa i përket akomodimit, Unique 71 ka gjashtë kabina ku mund të qëndrojnë deri në 12 persona. Gjithashtu, përveç tyre, ka edhe nëntë kabina për ekuipazhin, që do të thotë se pronarët e jahtit mund të kenë një staf me deri në 18 veta që do të kujdeset për ta.

Ndërkohë, pjesa e përparme e anijes ka atë që Lucas e quan një dizajn ‘hermetik’.

Lucas shpjegon se kjo zonë përfshin disa panele anësore dhe të sipërme që mund të hapen, “të cilat shërbejnë kryesisht për të mbrojtur më mirë udhëtarët dhe për të garantuar komfortin më të mirë të mundshëm të zërit dhe të vibrimeve”.

Superstruktura dhe trupi i anijes Unique 71 janë bërë nga alumini dhe ajo është në gjendje të “depërtojë” përmes ujit me një shpejtësi prej 34 milje në orë.

SkyStyle – kompania e projektimit, me zyra në SHBA, Argjentinë dhe Spanjë – është gjithashtu e njohur për dizajnin e brendshëm të avionëve dhe të hapësirave ekzekutive. Kompania është aktualisht në diskutime me agjentin e jahteve me qendër në SHBA, Denison Yachting, për të gjetur një blerës për projektin Unique 71. / Daily Mail

You may also like