“Ulje për Black Friday”/ Trafikantët, ‘marketing’ për emigrantët në La Mansh

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Mediat britanike vazhdojnë ta kenë në vëmendjen fenomenin e emigrantëve shqiptarë që kërkojnë të mbërrijnë në rrugë të paligjshme në Anglinë që për ta, është kthyer sot në ‘Tokën e Premtuar’.

Gazetarja e BBC Radio 4 dhe BBC World Service,  Hayley Mortimer ka hulumtuar mënyrat që përdorin trafikantët për të joshur sa më shumë shqiptarë të hyjnë një aventurë të tillë, pavarësisht rrezikut që të përfundojnë në shtëpi bari për të shlyer borxhin, e për këtë, nuk ngurrojnë të përdorin dhe atë që ajo e përshkruan si “një marketing të shkëlqyer në TikTok”.

12 mijë shqiptarë kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar përmes La Manshit me gomone e varka të vogla  për të kërkuar azil vitin e kaluar, pa e pasur as garancinë e jetës në këtë udhëtim të vështirë.

Mortimer, e cila investigimin e saj e kreu në Shqipëri në nëntor, thotë se kontrabandistët përdorin rrjetet sociale për të bindur njerëzit të emigrojnë drejt Britanisë me premtimin e “parave të lehta” dhe një jete luksoze.

“Është e vështirë të përcaktosh rolin e mediave sociale në Shqipëri, me llogaritë që përcjellin skena joreale të makinave të shpejta dhe parave të lehta në Angli. Kontrabandistët përdorin gjithashtu një marketing të shkëlqyer në TikTok, duke ofruar madje edhe ulje cmimi të së “Premtes së Zezë” për një vend në gomone”, shkruan ajo.

“Çmimi për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar me një varkë të vogël është aktualisht shumë më i lirë se në pjesën e pasme të një kamioni, mënyra e udhëtimit kjo për një pjesë të emigrantëve që vërshojnë drejt Britanisë. Por ka shqetësime se disa adoleshentë hyjnë në borxh tek trafikantët për këtë rrugëtim, dhe në mënyrë që ta shlyejnë atë, janë të detyruar të punojnë në shtëpitë e barit”, vazhdon gazetarja.


Top Channel

You may also like