KIEV, 5 shtator /ATSH-DPA/- Sulmet ajrore ruse në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, gjatë natës shkaktuan vdekjen e të paktën shtatë personave, përfshirë fëmijë, dhe plagosën të paktën 38 të tjerë, thanë dje në mbrëmje zyrtarët rajonalë.
Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovyi tha se tre nga të vdekurit ishin fëmijë.
Një ndërtesë banimi në qendër të qytetit pranë stacionit të trenit ka marrë flakë. Dy shkolla në qytet, vetëm 70 kilometra larg kufirit polak, u dëmtuan gjithashtu.
Kryeministri polak Donald Tusk ofroi ndihmë në rindërtimin e ndërtesave në Lviv pas sulmeve ajrore.
“Lvivi ka nevojë për ndihmë! Objektivi i sulmit rus ishte qendra e qytetit. Shumë ndërtesa të vjetra u dëmtuan”, postoi Tusk në X.
Lvivi shtrihet vetëm 70 kilometra nga kufiri polak dhe në të kaluarën ka qenë pjesë e Polonisë.
Të martën, më shumë se 50 persona u vranë dhe rreth 270 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me raketa ruse në qytetin qendror të Ukrainës, Poltava, një nga sulmet ajrore më vdekjeprurëse ruse në vend – në më shumë se dy vjet luftë.
Kievi furnizohet me armë nga shumë vende perëndimore, por kjo mbështetje nuk po e ndryshon situatën ushtarake në favor të Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje vazhdimisht aleatëve të tij të rrisin dërgesat – për të lejuar Ukrainën të mbrojë më mirë qytetet kundër sulmeve ajrore ruse.
Ai gjithashtu ka kërkuar armë me rreze më të gjatë për të goditur objektiva më thellë territorit rus. //a.i/