UKRAINË – Shkarkohet një tjetër zyrtar i rangut të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes

by admin
Spread the love

MOSKË, 25 janar /ATSH-DPA/- Një tjetër zyrtar i rangut të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës është shkarkuar pas një skandali që përfshin blerjen e ushqimeve të shtrenjta për ushtarët.

“Drejtori i departamentit të blerjeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Bohdan Khmelnytskyi është shkarkuar”, njoftoi sot në Facebook kryetarja e komisionit kundër korrupsionit në parlamentin ukrainas, Anastasia Radina.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Vyacheslav Shapovalov ka dhënë tashmë dorëheqjen për shkak të kësaj  afere.

Gjatë fundjavës, në median ukrainase shpërthyen lajmet se Ministria e Mbrojtjes po blinte ushqime për ushtarët e saj me çmime deri në tre herë më të larta se çmimet e shitjes me pakicë në dyqan.

Ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov raportoi disa “gabime” në disa kontrata, të cilat tani po shqyrtoheshin.

Një numër zyrtarësh u shkarkuan sot pas dyshimeve për ryshfet dhe korrupsion, gjë që preku gjithashtu ministritë dhe autoritetet e tjera.

Korrupsioni i përhapur ka qenë një kritikë kryesore ndaj Ukrainës e bërë nga fuqitë perëndimore përpara fillimit të luftës, në shkurt të vitit të kaluar.

Si pjesë e valës së shkarkimeve, prokurori i përgjithshëm Andriy Kostin shkarkoi pesë drejtues rajonalë të zyrës së prokurorisë.

“Shkarkimet u bënë me kërkesën e tij”, njoftoi sot autoriteti. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like