UKRAINË – Kievi bën thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

by admin
Spread the love

KIEV, 26 mars /ATSH-DPA/ – Ukraina ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas vendimit të Rusisë për të vendosur armët bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje.

“Plani rus është një hap tjetër provokues nga regjimi kriminal i presidentit Vladimir Putin”, tha sot Ministria e Jashtme në Kiev.

“Kjo do të minonte parimet e Traktatit të Mospërhapjes bërthamore, arkitekturën e çarmatimit bërthamor dhe sistemin ndërkombëtar të sigurisë në tërësi”, tha ministria.

Rusia është një nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, organi më i fuqishëm i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Ukraina u bëri thirrje katër anëtarëve të tjerë të përhershëm, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Kinës që të miratojnë masa kundër këtij “shantazhi bërthamor”.

Përveç kësaj, Kievi i bëri thirrje Grupit të Shtatë Fuqive Ekonomike (G7) dhe Bashkimit Evropian që të paralajmërojnë Bjellorusinë për pasojat e një dislokimi të tillë.

Putin njoftoi dje në mbrëmje se Rusia dhe Bjellorusia kanë rënë dakord për vendosjen e armëve bërthamore taktike.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like