Ukraina: Trupat ruse përpiqen të vendosin kontroll të plotë në Lugansk dhe Donjeck

by admin
Spread the love

Trupat ruse po përpiqen të kapërcejnë rezistencën e Forcave të Armatosura të Ukrainës në lindje të vendit, tha të enjten Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Përpjekjet kryesore të Rusisë janë përqendruar në vendosjen e kontrollit të plotë mbi territoret e rajoneve Lugansk dhe Donjeck në lindje të Ukrainës, por përpjekjet e tyre kanë qenë të pasuksesshme deri më tani, thuhet më tej në deklaratë.

Sipas Oleksiy Gromov, Zëvendësshef i Drejtorisë kryesore Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, situata në rajonin Lugansk mbetet e vështirë, por trupat ukrainase po bëjnë çmos për të ndryshuar situatën.

“Ushtria ruse godet nga ajri dhe nga toka dhe kjo krijon një avantazh për rusët. Ne po bëjmë çdo gjë për të arritur fitoren”,- shtoi Gromov.

Një zyrtar i lartë nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) deklaroi gjithashtu se Rusia i ka rritur përfitimet e saj ushtarake në rajonin Donbas të Ukrainës dhe po përpiqet të rrethojë trupat ukrainase në shumë rajone.

Duke vënë në dukje se përparimi i Rusisë në Ukrainën lindore vazhdon, zyrtari amerikan bëri këtë koment: “Ne vlerësojmë se Rusia po përparon drejt Slavyansk dhe Kramatorsk. Megjithëse luftimet vazhdojnë, ne vlerësojmë se forcat ruse kanë marrë pjesën më të madhe të verilindjes së Sivierodonjeckut”.

*

Lavrov: Perëndimi i shpalli luftë totale të gjithë Rusisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, deklaroi të premten se Perëndimi i ka shpallur luftë totale të gjithë vendit të tij dhe se askush nuk e fsheh më këtë fakt.

Sergey Lavrov bëri deklarata në lidhje me luftën Ukrainë-Rusi, e cila po vazhdon që nga 24 shkurti (2022), gjatë një takimi të mbajtur në Moskë.

“Vendet perëndimore po përpiqen gjithnjë e më shumë të na kontrollojnë. Ata përdorin një sërë mjetesh, nga sanksionet ekonomike të njëanshme, te mediat globale dhe propaganda krejtësisht mashtruese”, tha shefi i diplomacisë ruse në një reagim ndaj Perëndimit.

Ai vuri në pah se “rusofobia” e promovuar nga disa qeveri është rritur në nivele të paprecedentë.

“Perëndimi na ka shpallur luftë totale, kundër të gjithë Rusisë. Askush nuk e fsheh më këtë fakt”, tha Lavrov duke shtuar se Rusia iu përgjigj kësaj situate me bashkimin e të gjithë patriotëve dhe me rritjen e mbështetjes popullore për politikën e jashtme të vendit.

Sipas tij, kultura për të eliminuar gjithçka që lidhet me Rusinë (në Perëndim) ka arritur në një pikë absurde.

“Klasikë si Çajkovski, Dostojevski, Tolstoi dhe Pushkini u ndaluan. Sot po ndëshkohen gjithashtu figura kombëtare të kulturës dhe artit, të cilët përfaqësojnë kulturën tonë. Përgjithësisht mund të them se kjo situatë do të vazhdojë për një kohë të gjatë”, u shpreh ministri Lavrov.

*

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se 1 avion luftarak Mig-29 që i përkiste forcave ajrore ukrainase u rrëzua në rajonin e Odesës.

Igor Konashenkov dha informacione për veprimet e ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë.

Duke bërë të ditur se kanë goditur njësinë e 10-të luftarake malore të ushtrisë ukrainase në rajonin e Donjeckut me raketa ajrore, Konashenkov tha se si rezultat i këtyre sulmeve janë shkatërruar 7 pika komandimi dhe vëzhgimi dhe 13 zona ushtarake.

Konashenkov raportoi se ata shkatërruan radarin e sistemit raketor të mbrojtjes ajrore S-300 në afërsi të qytetit Barvenkovo dhe stacionin e radiolidhjeve dhe radarin e sistemit raketor të mbrojtjes ajrore në Gusarovka të Harkovit.

Më shumë se 250 ushtarë ukrainas dhe 84 automjete ushtarake u neutralizuan nga ushtria ruse, tha Igor Konashenkov.

“Sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan 1 avion Mig-29 të forcave ajrore ukrainase në rajonin e Odessës”, tha ai.

Duke deklaruar se 8 mjete ajrore pa pilot ukrainas u rrëzuan në rajonet Harkov dhe Donjeck dhe raketa balistike Tochka-U në rajonin e Luganskut, Konashenkov tha se njësitë e raketave dhe artilerisë u vunë nën zjarr me 77 qendra komanduese, 412 zona ushtarake dhe 53 bateritë e artilerisë.

“Deri më tani (nga 24 shkurti) janë shkatërruar 180 avionë, 127 helikopterë, 1.027 mjete ajrore pa pilot, 324 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 3.281 tanke dhe automjete të blinduara, 438 raketahedhës shumëgrykësh, 1.693 obusë dhe mortaja, 3.218 automjete ushtarake të Ukrainës”, njoftoi zëdhënësi Konashenkov.

*

Zelenskiy: Rusia bombardoi përsëri Harkovin, 9 të vrarë dhe 19 të plagosur

Presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelenskiy mbajti fjalimin e tij të përditshëm drejtuar kombit.

Vladimir Zelensky deklaroi se Rusia bombardoi përsëri Harkovin dhe njoftoi se 9 persona u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit.

Duke thënë se në mesin e të vdekurve ishte një foshnjë 5-muajshe dhe babai i tij, Zelenskiy bëri të ditur se gjendja e nënës ishte e rëndë dhe se në mesin e të plagosurve ishte edhe një vajzë 9-vjeçare.

“Ata (rusët) duan të rrafshojnë Popasna, Bakhmut, Lyman, Lysychansk dhe Severodonetsk, si dhe Volnovakha e Mariupol. Ushtrimi i presionit ndaj Rusisë është plotësisht një çështje e shpëtimit të jetëve”, tha Presidenti i Ukrainës.

Ai iu referua edhe thirrjes së tij për parlamentin dhe popullin letonez, dhe bëri të ditur se shprehu mirënjohjen për ndihmën ndaj Ukrainës, përfshirë edhe atë në fushën e mbrojtjes. “Nëse të gjithë në botë do të kishin të njëjtën vendosmëri për të mbrojtur lirinë tonë të përbashkët si Letonia dhe partnerët e tjerë që nuk hezituan, shteti rus do t’i bënte dot keq as Ukrainës, dhe botës” tha Zelenskiy.

Duke thënë se kishte një telefonatë me kryeministrin holandez, Mark Rutte, lideri ukrainas deklaroi se ai dha informacion për situatën në fushën e betejës dhe diskutoi se si mund të përmirësohej aftësia e Ukrainës për të mbrojtur veten dhe për të zmbrapsur sulmet.

*

SHBA-ja i bën thirrje Rusisë t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të lejojë qarkullimin e ushqimit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i bënë thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës kundër Ukrainës dhe të lejojë qarkullimin e ushqimit.

Në konferencën e saj të përditshme për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre i bëri një vlerësim rendit të ditës dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Duke iu referuar diskutimeve mbi krizën ushqimore të shkaktuar nga Lufta Ruso-Ukrainase që shpërtheu më 24 shkurt, Jean-Pierre tha: “Rusia duhet të përfundojë urgjentisht luftën e saj kundër Ukrainës që po shkatërron sigurinë globale të ushqimit dhe të lejojë që ushqimi të rrjedhë nëpër Ukrainë”.

Zëdhënësja gjithashtu tha se Rusia është përgjegjëse për krizën aktuale të ushqimit, ndërsa shtoi se “Sanksionet e Shteteve të Bashkuara ose të vendeve të tjera kundër Rusisë nuk pengojnë rrjedhën e ushqimit”.

Jean-Pierre iu përgjigj edhe pretendimeve në shtypin amerikan se Brett McGurk, drejtori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme dhe Amos Hochstein, nënsekretari i Departamentit të Shtetit për Energjinë, ishin në një vizitë të fshehtë në Arabinë Saudite për bisedimet e marrëveshjes së naftës midis Arabisë Saudite, Izraelit dhe Egjiptit.

“Unë mund të konfirmoj se McGurk dhe Hochstein janë aktualisht në Arabinë Saudite. Zyrtarët po trajtojnë çështje të tilla si luftimi i veprimeve destabilizuese të Iranit në rajon dhe tregu i qëndrueshëm global i energjisë”, deklaroi zëdhënësja Jean-Pierre.

*

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës: Në 24 orët e fundit janë vrarë 150 ushtarë rusë

Në deklaratën e bërë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës lidhur me humbjet e ushtrisë ruse nga data 24 shkurt deri më 26 maj, thuhet se në 24 orët e fundit ushtria ruse ka humbur edhe 150 ushtarë të tjerë.

Sipas të njëjtës deklaratë ushtria ruse ka humbur gjithsej 29.600 ushtarë, dhe se asaj i janë shkatërruar: 206 avionë, 170 helikopterë, 1.315 tanke, 3.235 automjete të blinduara, 617 topa, 201 sisteme raketahedhës dhe 93 sisteme të mbrojtjes ajrore.

Shtabi i Përgjithshëm ukrainas ka njoftuar se forcat ruse kanë humbur gjithashtu 2.225 automjete, 13 anije dhe motoskafë të lehtë, 502 mjete ajrore pa pilot (dronë), po ashtu janë goditur dhe shkatërruar në ajër 114 raketa të lëshuara nga rusët.

Sipas deklaratës së bërë nga Ministria ruse e Mbrojtjes më 25 mars, në Ukrainë kanë vdekur 1.351 ushtarë rusë.

*

Rusia zgjat korridorin humanitar në Detin e Zi për daljen e anijeve civile

Mikhail Mizintsev, kreu i Qendrës së Kontrollit të Mbrojtjes Kombëtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, raportoi se korridori ditor humanitar i hapur nga Forcat e Armatosura Ruse për daljen e anijeve të huaja civile nga portet e Ukrainës është shtrirë në 139 milje.

Mikhail Mizintsev deklaroi se Forcat e Armatosura Ruse kanë bërë rregullime në rrugën e korridorit të ndihmës humanitare, i cili funksionon në Detin e Zi që prej 27 marsit, për të siguruar daljen e sigurt të anijeve të huaja në det të hapur nga portet Odessa, Mykolaiv, Chernomorsk, Herson, Ochakov dhe Yuzhny.

Duke vënë në dukje se rruga e korridorit humanitar detar në gjerësi prej 3 miljesh është zgjatur në 139 milje që nga 27 maji, Mizintsev tha se korridori do të jetë i hapur çdo ditë nga ora 08:00 deri në orën 19:00 me kohën e Moskës.

Mikhail Mizintsev, i cili gjithashtu ndau koordinatat e zonave të mbledhjes dhe shpërndarjes së anijeve, deklaroi se pala ukrainase është përgjegjëse për sigurinë e anijeve nga nisja nga portet deri në zonën e mbledhjes.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi dje hapjen e korridorit të ndihmave humanitare 80 milje të gjatë dhe 3 milje të gjerë në Detin e Zi për daljen e anijeve të huaja të mallrave nga ujërat territoriale të Ukrainës, gjegjësisht nga portet e Herson, Mykolayiv, Chernomorsk, Ochakov, Odessa dhe Yuzhny, çdo ditë nga ora 08:00 deri në 19:00 me orën e Moskës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Mariya Zakharova raportoi se 5 anije të huaja mallrash u larguan nga porti i Mariupolit pasi u pastrua nga minat.

*

Kuleba: Shumë vende ofruan ndërmjetësim, por Turqia ka qenë më e suksesshmja

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se ka vende që kanë ofruar ndërmjetësim midis vendit të tij dhe Rusisë, ndërsa shtoi se “Turqia ka qenë më e suksesshmja”.

Dmytro Kuleba mbajti një konferencë shtypi në Forumin Ekonomik Botëror (WEF), i njohur gjithashtu si Samiti i Davosit.

I pyetur nga korrespondenti i agjencisë së lajmeve “Anadolli” (AA) për procesin e ndërmjetësimit të Turqisë mes Ukrainës dhe Rusisë, Kuleba tha: “Turqia ishte një nga vendet që ofroi ndërmjetësim për arsye të ndryshme. Ajo ka qenë më e suksesshmja. Takimi i delegacioneve negociuese ruso-ukrainase në Stamboll ishte në thelb pika më e lartë në procesin e negociatave.”

Kuleba tha se procesi i negociatave dështoi pas takimit në Stamboll, ndërsa bëri të ditur se nuk e mban mend se kur është takuar për herë të fundit grupi i punës që ka zhvilluar negociatat mes dy vendeve.

Shefi i diplomacisë ukrainase bëri të ditur se Rusia vazhdimisht bën deklarata të tilla si “Ukraina nuk ka nevojë për diplomaci, ajo nuk dëshiron të flasë me ne”, ndërsa shtoi se: “Ky është një operacion mbulimi”.

Dmytro Kuleba reagoi gjithashtu ndaj nënshkrimit të një rezolute nga Presidenti rus Vladimir Putin që lehtëson dhënien e shtetësisë ruse për banorët e rajoneve Herson dhe Zaporizhia të Ukrainës.

“Nëse doni një negociatë me qëllime të mira, nuk do të bëni gjëra të tilla. Është kaq e thjeshtë”, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

 

You may also like