Ukraina thirrje civilëve: Largohuni nga zonat e çliruara para dimrit

by admin
Spread the love

Autoritetet ukrainase po evakuojnë civilët nga zonat e çliruara së fundmi në rajonet e Khersonit dhe Mykolaivit, nga frika se mungesa e energjisë dhe ujit për shkak të bombardimeve ruse do t’i bëjë kushtet shumë të pajetueshme këtë dimër.

Lëvizja erdhi pasi ndërprerjet e energjisë elektrike të hënën u shtrinë në pjesën më të madhe të vendit.

Autoritetet u kërkuan banorëve të dy rajoneve jugore, të cilat forcat ruse i kanë bombarduar prej muajsh, të lëvizin në zona më të sigurta në pjesët qendrore dhe perëndimore të vendit, tha të hënën zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk. Qeveria do të sigurojë transport, strehim dhe kujdes mjekësor, shtoi ajo.

Evakuimet po ndodhin më shumë se një javë pasi Ukraina rimori qytetin e Khersonit, në bregun perëndimor të lumit Dnieper dhe zonat përreth në një fitore të madhe në fushën e betejës. Qysh atëherë, me afrimin e dimrit, banorët dhe autoritetet kanë filluar t’i kuptojnë më mirë dëmet që rusët u kanë shkaktuar infrastrukturës, përfshirë asaj energjetike, përpara se të tërhiqeshin javën e kaluar.

Ukraina është e njohur për motin e saj brutal të dimrit dhe bora tashmë ka mbuluar kryeqyetetin e vendit, Kievin dhe pjesë të tjera të vendit.

Forcat ruse po forcojnë vijat e tyre të mbrojtjes përgjatë bregut lindor të lumit Dnieper, nga frika se forcat ukrainase do të hyjnë më thellë në rajon. Në javët para kundërsulmit të suksesshëm të Ukrainës, autoritetet e instaluara nga Rusia inkurajuan dhe ndihmuan dhjetëra mijëra banorë të qytetit të Khersonit të evakuoheshin në zonat e kontrolluara nga Rusia.

Të hënën, autoritetet e instaluara nga Rusia u kërkuan banorëve të tjerë që të evakuohen në një zonë në bregun lindor të lumit që Moska tani kontrollon, duke përmendur luftimet intensive në distriktin Kakhovskiy të Khersonit.

Rusia ka goditur rrjetin elektrik të Ukrainës dhe pjesë të tjera të infrastrukturës nga ajri për javë të tëra, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike dhe duke lënë miliona ukrainas pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përsëriti të hënën thirrjet e tij për vendet e NATO-s dhe aleatët e tjerë që ta shpallin Rusinë një shtet terrorist, duke thënë se bombardimi nga ana e saj e infrastrukturës energjetike ishte i barabartë me “përdorimin e një arme të shkatërrimit në masë”. Zoti Zelenskyy gjithashtu kërkoi përsëri sanksione më të rrepta kundër Rusisë dhe apeloi për më shumë ndihmë për mbrojtjen ajrore.

“Shteti terrorist duhet ta dijë se nuk ka asnjë shans”, tha ai në takimin e 68-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Madrid në një fjalim virtual.

Gjithashtu të hënën, zoti Zelenskyy dhe bashkëshortja e tij bënë një paraqitje të rrallë publike të përbashkët për të mbajtur një moment heshtjeje dhe për të vendosur qirinj në një memorial në Kiev për ata që u vranë në protestat masive pro-Bashkimit Evropian të Ukrainës në vitin 2014.

Vizita e tyre përkoi me kujtimet e reja të më shumë vdekjeve dhe shkatërrimeve në tokën ukrainase.

Të paktën katër civilë u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit, tha të hënën nënkryetari i zyrës presidenciale të vendit, Kyrylo Tymoshenko.


Top Channel

You may also like