Ukraina rikthen furnizimin me energji elektrike, pas sulmeve ruse

by admin
Spread the love

Kryeqyteti i Ukrainës riktheu pjesën më të madhe të furnizimit me energji elektrike të premten, thanë zyrtarët, pasi vendi sërish reagoi me shpejtësi ndaj valës së fundit të sulmeve ruse me raketa që vunë në shënjestër infrastrukturën kritike ukrainase.

Forcat e Kremlinit goditën me raketa Ukrainën në një valë të re sulmesh ajrore, ndërsa vazhdojnë luftimet e ashpra në vijën e frontit në zonat lindore. Qëllimi i dukshëm është të dobësojnë vendosmërinë e Ukrainës dhe të detyrojë qeverinë ukrainase të negociojë për paqe sipas kushteve të Moskës.

Megjithatë sulmet ajrore ruse kanë pasur pak ndikim në rrjedhën e luftës që ka më shumë se një vit që ka filluar.

Instituti për Studimin e Luftës me qendër në Uashington, në një vlerësim tha se “këto sulme me raketa nuk do të dobësojnë vullnetin e Ukrainës e as që do të përmirësojnë pozicionet e Rusisë në vijën e frontit”.

Analisti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov tha se rusët po vënë në shënjestër infrastrukturën civile, sepse ata nuk mund të godasin në mënyrë efikase asetet ushtarake ukrainase.

“Rusëve u mungojnë të dhënat për vendndodhjen e trupave dhe armëve ukrainase, kështu që ata synojnë infrastrukturën civile dhe përdorin të njëjtat metoda të vjetra për të sulmuar civilët për të mbjellë frikë dhe panik në shoqëri”, tha ai.

“Ukraina i ka mbijetuar dimrit dhe goditjeve të Rusisë në sistemin energjetik në pranverë vështirë se kanë kuptim”.

Furnizimi me energji dhe ujë u rikthye në Kiev, tha Serhii Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit. Zoti Popko tha se rreth 30% e konsumatorëve në kryeqytet kanë mbetur pa ngrohje dhe se punimet e riparimit po vazhdojnë.

Furnizimi me energji elektrike u rikthye pothuajse në tërësi në rajonin verilindor të Kharkivit të Ukrainës, thanë zyrtarët lokalë, dhe e njëjta gjë u bë edhe për një të tretën e konsumatorëve në rajonin jugor ukrainas të Zaporizhzhias.

Sulmi i fundit rus ishte më masivi që prej tre javësh, pasi u lëshuan më shumë se 80 raketa. Gjatë sulmit janë përdorur edhe dronë kamikazë.

Sulmet ajrore që dëmtuan edhe ndërtesat e banimit, shkaktuan vdekjen e gjashtë personave dhe lanë qindra mijëra njerëz pa ngrohje dhe ujë të pijshëm. Ajo që ishte ndryshe kësaj radhe ishte përdorimi i raketave hipersonike Kinzhal nga forcat e Kremlinit, që janë ndër armët më të sofistikuara në arsenalin rus.

Megjithatë, bombardimet në infrastrukturën energjetike që u intensifikuan gjatë vjeshtës së kaluar janë pakësuar së fundmi.

“Intervali midis valëve të sulmeve po zgjatet, sepse Rusia tani duhet të grumbullojë një masë kritike të raketave të prodhuara rishtazi drejtpërdrejt nga industria”, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në një vlerësim të publikuar të premten.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet ishin hakmarrje për sulmin në rajonin Bryansk të Rusisë perëndimore për të cilin Moska fajëson Ukrainën. Kievi e ka hedhur poshtë akuzën duke paralajmëruar se Moska mund t’i përdorë akuzat për të arsyetuar shtimin e sulmeve të saj./VOA


Top Channel

You may also like